Mediat e huaja: Zgjedhjet, test për Ramën në qeveri dhe Bashën në opozitë

21/06/2015 00:00

“Associated Press” është ndër të parat, që komenton procesin e sotëm zgjedhor në Shqipëri. Agjencia prestigjioze e lajmeve ka raportuar nisjen e votimit me sqarimin se, fokusi kryesor për këto zgjedhje lokale do të jetë rezultati i Bashkisë së Tiranës.

Mbi 3,3 milionë shqiptarë janë thirrur në votime, në të parat zgjedhje pas miratimit të reformës administrativo-territoriale, që e tkurri në mënyrë drastike numrin e njësive vendore, nga 373 në 61, anembanë vendit.

Informacioni i përcjellë pothuajse nga të gjitha mediat e huaja online, për zgjedhjet e sotme lokale në Shqipëri, përqëndrohet pikërisht këtu: hedhja e votës në sfondin e ndarjes së re territoriale, një proces që përfaqëson sipas tyre testin e radhës për rrugën e vendit tonë drejt Bashkimit Europian.

Faqet italiane në internet citojnë Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, të pohojë se këto votime “duhet të jenë investimi kryesor për çeljen e negociatave të anëtarësimit”.

Në garë janë 63 formacione politike, 37 nga të cilat janë rreshtuar në krahun e socialistëve të kryeministrit Edi Rama, në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. 15 janë të listuarit nën siglën e “Aleancës Popullore për Punësim dhe Dinjitet”, koalicioni i qendrës së djathtë i drejtuar prej Lulzim Bashës.

Sqarimet janë të shkurtra e të sakta: votimet përfaqësojnë të parën sfidë, si për Ramën dhe qeverinë e tij pas dy vitesh në pushtet; por mbeten nga ana tjetër edhe një test për Bashën vetë, që në 2013-n zëvendësoi në krye të Partisë Demokratike udhëheqësin historik të së djathtës, Sali Berishën.

Janë 90 Komisione Zonale në mbarë vendin; 5.299 Qendrat e Votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00; ndërsa gati 200 vëzhgues ndërkombëtarë të OSBE-së dhe Këshillit të Europës do të paraqesin që të hënën një raport paraprak. Duke cituar sondazhet e fundit para zgjedhjeve, të njëjtat portale flasin për një fitore thuajse të sigurtë të së majtës, që duket të jetë në avantazh edhe në kryeqytet.

“Associated Press” thotë ndër të tjera se, ligji dikton që rezultatet të bëhen publike jo më vonë se 3 ditë nga votimi. “Zëri i Amerikës” informon se, pritet që fillimisht të numërohen fletët e votimit për kryetarët e bashkive, e më pas për këshillat bashkiakë, një proces, i cili historikisht në Shqipëri ka kërkuar shumë ditë kohë.

Mediet rajonale online kujtojnë, nga ana tjetër, premtimet e Ramës se rezultati zgjedhor do t’i japë një tjetër shtysë zhvillimit ekonomik të vendit. Por shtojnë gjithashtu se, që prej rënies së komunizmit mbi dy dekada më parë, në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje pa asnjë të metë.

Një test kyç në hapat e saj drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Europian i cilëson edhe “Fox News” zgjedhjet e 7-a lokale në Shqipëri, që prej përmbysjes së regjimit të kaluar. “Balkan Insight” sjell në vëmendje shqetësimet e përcjella gjatë ditëve të fundit nga vëzhgues ndërkombëtarë e lokalë, mbi blerjen e votës në disa njësi, si dhe hetimin e nisur nga policia mbi pretendimet se një kandidat opozitar u ka ofruar familjeve të varfra parà në këmbim të votës.

Disa portale amerikane evidentojnë edhe faktin, që përfaqësues të delegacionit të BE-së po vizitojnë qendra të ndryshme votimi, përfshirë ato në Tiranë, Vlorë e Shkodër. Agjencia franceze e lajmeve “AFP” i etiketon këto votime si sprovë për demokracinë e brishtë të Shqipërisë dhe citon pohimet e kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, se përtej rezultateve, rëndësia e vërtetë e këtyre zgjedhjeve janë vlerat e demokracisë, që duhet të triumfojnë.

“US news” përcjell mesazhet e dy udhëheqësve, Rama dhe Basha, të drejtuara shqiptarëve fill pas hedhjes së votës, secili në qendrën përkatëse. Apeli i të dyve ishte pjesëmarrja. “Vendimet i marrin ata që votojnë”, ka thënë Basha, ndërsa “ai që nuk voton, nuk e ka të drejtën të ankohet”, ishte komenti i kryeministrit, thekson faqja në fjalë.

Top Channel