Kur u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike dy vite më parë, Lulzim Basha nuk do ta kishte imagjinuar se në përballjen e parë elektorale, PD të mund të kishte ndonjë shpresë, qoftë edhe të vogël fitoreje.

Kur u zgjodh dy vite më parë në krye të Partisë Demokratike, as Luzim Basha vetë nuk ua premtoi këtë demokratëve, sepse humbja në zgjedhjet politike ishte aq dramatike, saqë, aq pak deputetë në Parlament, Partia Demokratike kishte pasur vetëm në ’97-n.

“Le ta nisim rrugëtimin tonë duke i dhënë vendit alternativën e shpresës dhe forcën për të mbyllur tranzicionin pas përballjes me këtë qeveri të veseve të vjetra”, shprehej Basha.

Prej 23 korrikut të 2013-s dhe për rreth 1 viti e gjysmë, Lulzim Basha ia doli pa shumë vështirësi të drejtonte Partinë Demokratike, si i vetmi i zgjedhur me votë në strukturat partiake, duke e shtyrë sa më gjatë zgjedhjen e strukturave të reja, pa pasur presionin më minimal nga brenda partisë.

Garancia për këtë qetësi të brendshme partiake, që s’e ka pasur asnjë kryetar i ri partie, ishte dhe vazhdon të jetë Sali Berisha. Lideri historik i Partisë Demokratike ka shfrytëzuar çdo rast publik për të pohuar tërheqjen e tij të plotë nga vendimmarrja në parti, aq sa në dy vite ka bërë vetëm një konferencë shtypi në selinë e Partisë Demokratike, kur u përjashtua nga Parlamenti për 10 ditë, qershorin e kaluar.

Me frymën e bashkimit, ripërtëritjes dhe nisjes së re, Lulzim Basha zhvilloi Kuvendin e Partisë Demokratike, pas të cilit u zgjodhën strukturat e reja, një përzierje mes të rinjsh dhe të vjetrish në parti, një ekuilibër që Lulzim Basha është provuar se ka ditur ta ruajë në masën e duhur, me kompromiset në kohën e duhur: “Hapja është në traditën e Partisë Demokratike. Ne duhet të hapemi për të gjithë njerëzit e ndershëm, që të japin kontributin e tyre për partinë. Le të jetë ky kuvend preludi i rikthimit tonë si forcë e ndryshimit historik. Të nisemi drejt rrugës së ndryshimit!”

Me një supermazhorancë përballë, që vendi kishte kohë pa e parë, me një kryeministër pushtetplotë, që si aleat kryesor ka Ilir Metën, me të cilin Lulzim Basha kishte pasur bashkëpunim të ngushtë, beteja e kreut të opozitës do të ishte shumë e vështirë. Por edhe pengesa e Ilir Metës u kalua pa shumë zhurmë dhe pa rënë në sy, çka e karakterizon Lulzim Bashën në çdo veprim të tij të rëndësishëm politik.

Fronti i betejës, ku shënjestër e vetme ishte Ilir Meta, ai që në fakt mban në këmbë qeverinë e Edi Ramës, u bë kulmi i aksioneve opozitare pas akuzave të Tom Doshit. Atëherë ishte koha, që Lulzim Basha të shpallte se, përsa kohë Partia Demokratike të drejtohej prej tij, nuk do të bënte kurrë koalicion me LSI-në.

Sesa jetëgjatë do të jetë ky premtim, kjo mbetet për t’u verifikuar, por çfarë mbahet mend gjatë këtyre dy viteve të opozitës së Lulzim Bashës, është se ai ia doli të ndërkombëtarizojë dhe të dëmtojë qeverinë me çështjen e dekriminalizimit të politikës. Dy incidente me deputetin Gent Strazimiri, i cili akuzonte herë pas here kryeministrin Rama, se kishte futur në Parlament vrasës dhe trafikantë, nxorrën Partinë Demokratike nga Kuvendi për gati 6 muaj, derisa PD ia doli të angazhojë Parlamentin Europian në arritjen e një marrveshjeje për dekriminalizimin. Afati i kësaj marrëveshjeje skadon pas 9 ditësh, ende pa u zbatuar, por ndërkohë opozita ia ka dalë ta kthejë çështjen e personave me rekorde kriminale në qender të vëmendjes edhe të këtyre zgjedhjeve.

“Janë kandidatë me nga 2-3 emra, kriminelë, trafikantë, të cilët do të marrin më 21 qershor ndëshkimin nga popullin. 0 vota për trafikantët dhe kriminelët”, thonte Basha.

Dy vite më parë, kur mori drejtimin e opozitës, Lulzim Basha fliste për ringritjen e shpejtë të opozitës, por tani, për shkak të asaj që e quan keqqeverisje nëpërmjet arrogancës, paligjshmërisë dhe korrupsionit, Lulzim Basha ka shpresë për fitore në zgjedhje: “21 Qershori është dita e popullit. Fitore, fitore, fitore!”

Kur të dalin rezultatet, vota për këshilltarët bashkiakë dhe jo ajo e kandidatëve, do të jetë treguesi më real, nëse Partia Demokratike është ringritur gjatë drejtimit të Lulzim Bashës.

Top Channel