Kurbin, zhbllokohet procesi i votimit

21/06/2015 00:00

Në Bashkinë e Kurbinit ka nisur procesi zgjedhor në të 76 qendrat e votimit dhe qytetarët kanë filluar të hedhin votën e tyre.

Për shkak të vonesave në shpërndarje të materialit, në qytetin e Laçit votimi ka filluar rreth një orë me vonesë.
 
Koalicioni i Partisë Demokratike është duke bojkotuar këtë proces zgjedhor në Kurbin, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkoi kryetarin e KZAZ-së 15 në Kurbin, z. Islam Ismaili, dhe tre anëtarët e tjerë të KZAZ-së nga PD dhe Partia Republikane.
 
Koalicioni PD-së ka refuzuar të dërgojë përfaqësues të rinj në KZAZ dhe nuk kanë dërguar as nëpër qendrat e votimit asnjë komisionerë.
 
Të gjitha materialet zgjedhore në Bashkinë Kurbin janë shpërndarë dhe janë pranuar vetëm nga komisionerët anëtarë të koalicionit të Partisë Socialiste.
 
Kryetari i ri i KZAZ-së 15 në Kurbin, me vendim të KQZ-së tani është Fran Nezha nga shoqëria civile.
Nexha tha për Top Channel se, procesi i shpërndarjes së materialeve ka shkuar mirë dhe në të gjitha qendrat e votimit ku po bojkotohet procesi nga koalicioni i Partisë Demokratike, KZAZ po dërgon zëvendësues nga shoqëria civile.
 
Derisa koalicioni i PD-së po bojkoton procesin zgjedhor në Kurbin, Gjovalin Laska, zyrtar i PD-së në Kurbin, tha për Top Channel se, këto zgjedhje nuk janë legale dhe rezultati i tyre nuk është legjitim.

Top Channel