Berisha: Zgjedhje të plagosura, ka kandidatë me precedentë penalë

21/06/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha, pasi votoi në Liceun Artistik, deklaroi se këto zgjedhje lokale “janë të plagosura”, pasi sipas tij, në to marrin pjesë kandidatë me precedentë penalë.

“Kësaj here ndodhi ajo që ishte e paimagjinueshme. Transaprencës absolute ndërkombëtare, të miqve dhe partnerëve ndërkombëtar, iu kundërvu në mënyrë të pabesueshme, të papërgjegjshme, krimi qeveritar dhe bëri që ai të ngadhënjehej. Ndaj dhe është e trishtueshme, shumë, zgjedhjet këtë radhë ndjehen të eosura sepse bashkëqytetarët tanë, në disa nga bashkitë e vendit janë të thirrur të votojnë për kandidatë me të shkuar drogën, vrasjen, pengmarrjen, prostitucionin. Por sot është fjala e qytetarëve, ndaj dhe ata kanë në dorë që të dëgjojnë fjalën e miqve tanë të cilët në interesin më jetik të qytetarëve shqiptarë, dhe në mënyrën më të përsëritur kërkuan largimin nga lista me emra konkretë të personave të dënuar për drogë, prostitucion, për atentate dhe vrasëse. Shumica qeverisëse, e lidhur kokë e këmbë me krimin refuzoi një gjë të tillë. Dhe sot çdo shqiptar voton, edhe si përgjigje ndaj këtij fenomeni të paparë për një vënd të lirë”, tha Berisha.

Lidhur me pjesëmarrjen, ish-kryeministri u shpreh besimplotë se do të ketë një pjesëmarrje të mirë të qytetarëve.

“Është stinë pune pasi e gjithë Shqipëria rurale ose ka votuar orën e parë, ose do votojnë vonë sepse është ditë intensive pune për ta tani”, tha Berisha.

Top Channel