Voton Presidenti Nishani: Sot të gjithë kemi të njëjtën fuqi, atë të votës

21/06/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka votuar i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Odeta, në qendrën e votimit të ngritur në shkollën “Andon Z. Çajupi”, në Tiranë. Ai apeloi për më shumë pjesëmarrje në këto votime, “sepse të gjithë qytetarët sot kanë të njëjtën fuqi, atë të votës”.

“Sot kemi liri reale, ta shfrytëzojmë në mënyrën më të drejtë këtë liri që kemi sot. Bazuar në përvojën time personale dua që sot të çoj një mesazh mirënjohjeje anembanë vendit, të gjithë komisonerëve dhe numëruesve. Ata sot janë gjykatësit, qeveritarët, menaxherët e vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Puna e tyre është një përgjegjësi e madhe dhe një kontribut real për vendin e për demokracinë e vendit. Mesazhi ka të bëjë me pjesëmarrjen, pjesëmarrjen masive, sepse sot të gjithë qytetarët që nga Presidenti i vendit dhe të gjithë qytetarët e tjerë kanë të njëjtën fuqi, votën”, tha Kreu i Shtetit.

Z. Nishani u kërkoi krerëve të partive, e sidomos përfaqësuesve të tyre në infrastrukturën zgjedhore, të japin gjithmonë mesazhe pozitive, pasi duhet të quhen konkurrentë dhe jo kundërshtarë.

I pyetur lidhur me incidentet zgjedhore, Presidenti Nishani tha se do të presë raportet përfundimtare për zgjedhjet nga institucionet e ngarkuara.

Top Channel