APD reagon ndaj deklarimeve të koncensionarit EMS, Shalsi: Ja ç’parashikon kontrata e përbashkët

21/06/2015 00:00

Autoriteti Portual i Durrësit (APD) ka reaguar ndaj deklarimeve për shtyp të përfaqësuesit të koncesionarit EMS, Manfred Muller, aktualisht koncesionar në kalatën lindore të Portit të Durrësit.

Kreu i këtij Autoriteti, Gazmend Shalsi, ka sqaruar se, kompania EMS e ka fituar kontratën e koncesionit për operimin në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit më 6 maj të vitit 2013 dhe ka filluar aktivitetin e saj më 15 korrik të të njëjtit vit.
 
“Sipas kësaj kontrate, kjo kompani mund të ushtrojë aktivitetin e operimit në Kalatën Lindore, pra të manaxhojë gjithë operacionet që zhvillohen në këtë kalatë. Ndërkohë, që për aktivitetet stivadore që ajo është përpjekur të ushtrojë në mënyrë të paligjshme, duke krijuar konflikte edhe fizike me kompanitë e licencuara, sipas nenit 3.1.2 të kësaj kontrate koncesionare, kërkohet licencim i posaçëm, pasi EMS të plotësojë dokumentacionin e kërkuar”, shpjegon Shalsi.
 
Sipas tij, më 18 qershor, EMS ka rënë dakord me APD për paraqitjen e dokumenteve të nevojshëm për marrjen e licencës së stivadorit, por të nesërmen e tërhoqi këtë premtim, duke propozuar një variant tjetër në kundërshtim me marrëveshjen dhe me kontratën mes palëve.

Ky pretendim për moslicencim nga ana e EMS, -shpjegon më tek kreu i APD-së, – është një çështje jo vetëm procedurale, por shoqërohet edhe me detyrimet për pagesa nga ana e EMS për tarifat e ushtrimit të një aktiviteti të tillë, siç veprojnë edhe 3 operatorë të tjerë stivadorë në Port.

“Po kështu, përfaqësuesit e EMS duhet të kenë parasysh se edhe në rast licencimi, ata nuk mund të vendosin monopol në shërbimet stivadore, sepse Porti i Durrësit është një port i hapur dhe çdo klient ka të drejtë të përzgjedhë vetë kompaninë stivadore, sipas marrëveshjeve me ta. Kjo është e domosdoshme për ta mbajtur këtë shërbim konkurues dhe për të mos vendosur çmime monopoliste”, nënvizon Shalsi.
 
Ndërkaq, përsa u përket pretendimeve për kërkesa ryshfeti, Autoriteti Portual i Durrësit inkurajon kompaninë EMS të denoncojë në prokurori çdo person që u ka bërë një kërkesë të tillë, por “gjithashtu e siguron se pretendime dhe tymnaja të tilla nuk mund t’i ndihmojnë për të mënjanuar detyrimet ligjore ndaj Portit të Durrësit, siç është licencimi i aktiviteteve stivadore, mbushja e paligjshme e kontenierëve apo mospagesat e detyrimeve të tjera koncesionare ndaj APD-së”.
 
Ndërsa, përsa u përket përpjekjeve për ta paraqitur këtë rast, që është një marrëdhenie specifike kontraktuale midis kompanisë EMS dhe Autoritetit Portual Durrës, si një tregues i dëmtimit të klimës së biznesit, Shalsi siguron pretenduesit, se “Porti i Durrësit është model i bashkëpunimit me investitorët e huaj, por në asnjë rast nuk do të lejojë që ky aset strategjik i Shqipërisë të keqpërdoret dhe të abuzohet nga koncesionarët, kushdo qofshin ata”.

Top Channel