Hapja e qendrave të votimit, KZLN: Vetëm 60% u hapën në kohë

21/06/2015 00:00

Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme në raportin për hapjen e qendrave të votimit, konstaton se vetëm 60 % e këtyre qendrave janë hapur në kohë, ndërsa 15 % u hapën me vonesë.

“Sipas të dhënave të KZLNDQ, pak mbi 60 % e Qendrave të Votimit në të gjithë vendin u hapën në kohë. Megjithatë, u duk se anëtarët e komisioneve nuk po duronin të nisnin procesin dhe në rreth një të katërtën e vendit Qendrat e Votimit u hapën përpara orës 7.00. 15 % e Qendrave të Votimit në të gjithë vendin u hapën me vonesë. Koalicioni gjithashtu shprehu shqetësim për rreth 10 % të Qendrave të Votimit në Shqipëri ku jo të gjithë anëtarët e Komisioneve të QV-ve ishin prezentë për hapjen e procesit”, tha Mirela Arqimandriti, KZLN.

KZLND deklaroi se procedurat e votimit u respektuan gjerësisht në Qendrat e Votimit në mbarë vendin. Nga të gjitha shkeljet e shënuara deri më tani, më shqetësuesja ishte mosshpërndarja e kopjeve të procesverbaleve të vulave të sigurisë për vëzhguesit partiakë në 17 % të Qendrave të Votimit. Kjo gjë pengon mundësinë e vëzhguesve partiakë të verifikojnë vulat e sigurisë më vonë, gjatë proceseve të numërimit dhe ankimimit.    

KZLN ka shpërndarë 1 mijë vëzhgues të palvëizshëm në të gjithë Shqipërinë. Në raport vlerësohet se në përgjithësi hapja e qendrave të votimit është kryer në mënyrë të rregullt, me përjashtim të disa vonesave dhe problemeve procedurale.

“Vëzhguesit e Koalicionit deri tani nuk kanë vërejtur ndonjë shkelje të rëndë e cila do mund të ndikonte tek rezultatet e zgjedhjeve. Grupi i punës i KZLNDQ-së është në këtë moment duke verifikuar katër raste të pretenduara parregullsish, dhe do të njoftojë publikun në kohën e duhur për to”, tha znj. Arqimandriti.
 
Fatkeqësisht, 55% e qendrave të votimit në mbarë vendin, u vlerësuan nga vëzhguesit e Koalicionit si të paaksesueshme nga votuesit me aftësi të kufizuar. Si rezultat, shumë votues me aftësi të kufizuar nuk do të jenë në gjendje që të votojnë në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë. Koalicioni gjithashtu vërejti se në 55 % të qendrave të votimit në mbarë vendin, nuk do jetë e mundur që votuesit e verbër të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të pavarur si dhe në fshehtësi, me anë të përdorimit të fletëve të votimit braile, të cilat përdoren për herë të parë në këto zgjedhje.

Top Channel