KVV: Forcat politike të marrin përgjegjësitë për praninë e komisionerëve

21/06/2015 00:00

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV), në konferencën e parë për shtyp këtë të diel informuan mbi ecurinë e procesit zgjedhor dhe problematikat që kanë shoqëruar hapjen e qendrave të votimit.

Vëzhguesit vendorë thanë se po monitorojnë procesin zgjedhor në të gjitha komisionet zonale të administrimit zgjedhor.
 
“Ka qenë një natë e ngarkuar për të gjithë operatorët zgjedhorë, veçanërisht për KQZ-në deri rreth orës 1:00 të mëngjesit, veçanërisht lidhur me komisionin zonal të administrimit zgjedhor të komunës Kurbin. Ka pasur një problematikë, por është emëruar një anëtar nga radhët e shoqërisë civile dhe është duke funksionuar tashmë me 4 anëtarë”, theksuan drejtues të KVV-së.
 
Sipas tyre, ka pasur edhe probleme të tjera lidhur me ndërrime të komisionerëve dhe disa vendimmarrje, sidomos me qendrat e votimit të posaçme, që janë ngritur pranë burgjeve dhe për të cilat ka një bazë materiale të munguar sidomos fletëvotimi.
 
Duke apeluar ndaj forcave politike që të marrin përgjegjësinë e duhur për të respektuar Kodin Zgjedhor në lidhje me prezencën e komisionerëve, KVV u shpreh: “Është shumë e rëndësishme që në këtë ditë të votimit, ata të jenë të qetë dhe të jenë të distancuar nga të gjitha ngjarjet jo të hijshme, për të lehtësuar pjesën e lejimit të qytetarëve për të votuar në këtë ditë të qetë edhe festive. I bëjmë gjithashtu apel të drejtpërdrejtë dhe qytetarëve që të votojnë”.

Top Channel