LSI, apel grave dhe vajzave për të votuar

21/06/2015 00:00

Në një deklaratë për mediet, të mbajtur nga kryetarja e Këshillit Kombëtar Drejtues të LSI-së, Erisa Xhixho, në krah të së cilës ishin edhe gra e vajza të tjera të kësaj force politike, ky subjekt politik u është bashkuar thirrjeve për pjesëmarrje në votime.

“Këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë, mbi të gjitha për gratë, pasi sot (e diel), me votën tonë na jepet mundësia të mbështesim përfaqësimin e grave në vendimmarrjen lokale. Qetësia, me të cilën po ecën procesi, padyshim është edhe falë kontributit të grave dhe vajzave në këto zgjedhje, të cilat do të përfaqësohen me 50% në këshillat bashkiakë. Pjesëmarrja jonë masive dhe vota jonë do të garantojë më shumë shërbim dhe punësim nesër, prandaj duhet të votojmë masivisht për të pasur mundësinë të kërkojmë më shumë llogari nga të zgjedhurit tanë, nesër”, u shpreh Erisa Xhixho, e cila ka ftuar sërish gratë dhe vajzat për të votuar.

“Ftoj të gjitha gratë dhe vajzat, të cilat për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të votojnë, t’u drejtohen kutive të votimit dhe të bëhen pjesë e kësaj dite historike të përfaqësimit tonë. Kanë ngelur më pak se 3 orë nga mbyllja zyrtare e procesit të votimit, ndaj ju ftoj që të vendosim sot për qeverisjes e ardhshme lokale. Votoni!”.

Top Channel