Tropojë, aty ku tre ish-demokratë kërkojnë votat…jo vetëm për PD-në

21/06/2015 00:00

Artiola Haxhiaj votoi për herë të parë në zgjedhjet e pushtetit vendor, për kryetarin e Bashkisë së Tropojës dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Për të, e diela ishte një ditë ndryshe, siç e thotë edhe vetë, dhe si shumë të rinj të tjerë të kësaj zone ka pritje të mëdha për ndryshim, jo vetëm në qytetin e Bajram Currit apo Tropojës, por për të gjithë Shqipërinë. Edukimi është një fushë, në të cilën – sipas saj, – duhet të përqëndrohen investimet.

“Me të vërtetë që ishte një ditë ndryshe, sepse që në fillim nuk dija ku të drejtohesha dhe ku të votoja. Por gjithçka shkoi mirë, u orientova dhe vjen një moment që mësohesh. Gjithmonë ka një herë të parë. Nga këto zgjedhje pres të ketë një ndryshim, Shqipëria e meriton ndryshimin. Jo thjesht të vijnë kandidatë e të kërkojnë të zgjidhen në krye të shtetit e të veprojnë sipas mendjes së tyre, por në të vërtetë të punojnë me popullin dhe për popullin. Rinia në Bajram Curri, por edhe në gjithë Shqipërinë, ka nevojë për shumë gjëra, por më e rëndësishmja është mundësia për arsim dhe një drejtim më të qartë në jetë”, tha Artiola Haxhiaj, banore e Bajram Currit.

Muzeu “Bajram Curri”, i kthyer në Qendër Votimi, është vetëm njëra nga 50 Qendrat e Votimit, disa prej të cilave të shtrira edhe në zonat më të thella të Tropojës. Sipas anëtarëve të KZAZ-së numër 9, procesi i votimit zhvillohet normalisht dhe pa incidente, që do të pengonin atë.

Ekipi i Top Channel ka qenë në një Qendër Votimi në Komunën Margegaj, në të cilën, pavarësisht kushteve të vështira për shkak të vjetërsisë së objektit, banorët ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Objekti, që sot shfyrtëzohet si Qendër Votimi, dikur ka qenë Postë shtetërore.

Kandidatët për kryetarin e Bashkisë së Tropojës kanë identifikuar një sërë problemesh, për t’i zjgjidhur në Bashkinë e Tropojës, duke filluar nga ato më elementare, siç është uji i pijshëm, punësimi i të rinjve, pse jo edhe shfrytëzimi i burimeve natyrore, në mënyrë që kjo zonë të bëhet tërheqëse për të rinjtë.

Ajo çfarë e karakterizon këtë garë është se, të 3 kandidatët dikur kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike, por në këto zgjedhje vetëm njëri garon nën siglën e PD-së, Besnik Dushaj.

“Besoj se sot votuesit do të votojnë kundër varfërisë, mjerimit dhe skamjes që ka pllakosur Tropojën këto dy vite. Por duhet të votojnë edhe për një projekt të ri, të zhvillimit të Tropojës”, tha kandidati demokrat, Besnik Dushaj.

I pakënaqur me zgjedhjet brenda PD-së në 2013-n, Rexhë Biberi kaloi në Lëvizjen Socialiste për Integrim, për t’u kandiduar në këto zgjedhje si kandidat i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Ai hodhi votën në këto zgjedhje në komunën Margegaj, ku ka shërbyer si kryetar komune për 4 mandate.

“Pas 25 vitesh do të fitojë realiteti në Tropojë. Këto janë zgjedhje administrative dhe Tropoja do të votojë ndryshimin, sepse ky është një sukses për këtë qytet, për më shumë punë dhe më shumë zhvillim në këtë qytet”, tha Rexhë Biberi, kandidat i ASHE-së.

Si rrjedhojë e përçarjeve në Partinë Demokratike, në prag të këtyre zgjedhjeve, Agron Demushi, po kështu kryetar i Bajram Currit, ka kërkuar votën e qytetarëve si kandidat i pavarur.

“Besoj se, si kandidat i pavarur i kam shtuar vlerat kësaj gare dhe demokracisë. Kjo, sepse në rast se ka pjesëmarrje të lartë në votime, jam unë ai që e kam siguruar këtë pjesëmarrje”, u shpreh Agron Demushi, kandidat i pavarur.

Bashkia e Tropojës ka numëruar gjithsej 21 mijë e 462 qytetarë me të drejtë vote, të cilët munden të votojnë për kryetarin e Bashkisë dhe 21 anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Top Channel