Greqia, në dorë të Merkelit. Të hënën, samiti i jashtëzakonshëm i BE-së për vendimin

21/06/2015 00:00

Për shefin e Financave greke, fatin e Eurozonës do t’i mbetet Angela Merkelit ta përcaktojë. Janis Varoufakis shkruante sot, në një artikull të botuar nga “Frankfurter Allgemeine” se, shpëtimi i Greqisë nga falimenti do të jetë përgjegjësi e Kancelares gjermane, si udhëheqëse e ekonomisë më të madhe të Europës.

“Të hënën, kur udhëheqësit e Bashkimit Europian të mblidhen në Bruksel për samitin e jashtëzakonshëm, Kancelarja do të përballet me një zgjedhje të vështirë. Të hyjë në një marrëveshje të ndershme me qeverinë, që kundërshton ‘dorëzanitë’ e që kërkon zgjidhje të negociuar për mbylljen një herë e mirë të krizës greke, ose t’i vërë veshin këmbanave brenda qeverisë federale gjermane, të cilat e inkurajojnë të hedhë tutje të vetmin ekzekutiv grek të mbështetur në parime demokratike, e që mund ta drejtojë popullin grek në rrugën e reformave të vërteta. Kam frikë se zgjedhja është e gjitha e saj”, tha Varoufakis.

Varoufakis përmendi njëkohësisht edhe perspektiven e lëshimeve të reja nga Athina, që synojnë të bindin kreditorët e Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar se, qeveria e majtë greke është serioze në vullnetin e saj për të zgjidhur ngërçin e borxhit masiv publik të vendit.

Pala jonë do të shkojë në Bruksel me vendosmërinë të gjejë gjuhën e kompromisit, për aq kohë sa nuk na kërkohet të bëjmë atë çfarë kanë bërë qeveritë e mëparshme: Të pranojmë borxhe të reja, me kushte që ofrojnë shumë pak shpresë se, Greqia do të arrijë t’i kthejë huatë e saj, – thotë Varoufakis, – pa ofruar sidoqoftë asnjë detaj se, çfarë masash konkrete është i përgatitur kryeministri grek, Aleksis Tsipras, të ndërmarrë.

Top Channel