Tsipras, presion rus ndaj BE-së; Takohet me Presidentin Putin para samitit

21/06/2015 00:00

Vetëm 3 ditë përpara samitit kyç të së hënës, në Bruksel, kryeministri grek Aleksis Tsipras udhëtoi drejt Rusisë. Takimi i tij me Vladimir Putinin, në Shën Pjetërburg, u cilësua si mjaft i frytshëm.

Të dy vendet planifikojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik, e në qendër të projekteve kanë gazsjellësin “Turkish Stream”. Kësaj lëvizjeje të Tspirasit, shtypi gjerman i ka kushtuar vëmendje të veçantë.

Putin e ka vlerësuar bashkëpunimin ekonomik me Greqinë, gjë që, siç u kujdes të theksonte shefi i Kremlinit, ka ardhur “si nismë e shtetit helen”. Ujdia e dy vendeve për zgjatjen me punime të përbashkëta të gazsjellësit në Detin e Zi është një parakusht i mirë, i tha Tsipras agjencisë “Interfax”.

Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar, në ish-metropolin e “Tsar”-ëve, një instancë mjaft e rëndësishme për Putinin, si Rusia edhe Greqia i dhanë shtysë përpara marrëveshjes për gazsjellësin.

Projekti gjigant do të mbushë buxhetin grek me tarifat e tranzitit, ndërsa Rusisë do t’i hapë rrugë të reja për sjelljen e gazit në Europën Juglindore. Si shpërblim, për pjesëmarrjen e grekëve në “Turkish Stream”, rusët së shpejti mund të lirojnë embargon e ngritur ndaj artikujve ushqimorë, që hyjnë nga vendet e Bashkimit Europian.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, sqaroi se me këtë do të merren ekspertët. Por, në tërësi, – shtoi ai, – edhe Rusia do të zgjasë embargon e mallrave ushqimorë nga BE, si reagim ndaj zgjatjes së sanksioneve të BE-së.

Duke analizuar situatën e këtyre ditëve, mediet gjermane ngrenë pyetjen se, sa me vend ishte kjo vizitë e kreut të ekzekutivit grek, pak para samitit vendimtar të Brukselit.

Lëvizja e Tsiprasit, – thonë ato, – është një sinjal i qartë se Athina mund t’i kthejë sytë nga partnerë të tjerë, e kjo nuk premton ndonjë gjë të mirë për ecurinë e mëtejshme të negociatave. Tsiprasi vetë duket se vazhdon të mbetet optimist, për sa i takon gjetjes së një zgjidhjeje të krizës, e ka bërë thirrje të arrihet një marrëveshje, nga e cila të përfitojnë të dyja palët.

Top Channel