Parregullsitë teknike në procesin e votimit; në Tepelenë, Bilisht dhe Roskovec

21/06/2015 00:00

Procesi i votimit për zgjedhjet e 21 qershorit ka evidentuar edhe parregullsi në qendra të ndryshme të votimit në vend. Disa prej tyre nuk janë hapur në kohë, ka pasur sinjale për materiale propagandistike pranë disa të tjerave, e megjithë thirrjet e herëpashershme të ndërkombëtarëve për të shmangur votimin familjar, raste të tilla nuk kanë munguar as në këto zgjedhje, si në rastin e Maqellarës, në Qarkun Dibër.

Në KZAZ-në numër 60 të Roskovecit, në Qarkun Fier, është ndeshur një gabim teknik në fletën e votimit, ku poshtë emrit të njërit prej kandidatëve, në vend që të shkruhej “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, shkruhej “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Gabim teknik në fletën e votimit është hasur edhe në  KZAZ-në numër 70 të Devollit, në Qarkun Korçë, ku në të dyja koalicionet shkruhej “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, ndërsa në KZAZ-në numër 77 të Tepelenës, në Qarkun Gjirokastër, ka pasur një gabim në numrat rendorë të kandidatëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar këto KZAZ, që të vazhdonin procesin në të gjitha qendrat e votimit, me ato fletë të shpërndara, pas një mbledhjeje me 6 vota pro dhe një kundër.

“Unë votova kundër sepse është në shkelje të ligjit. I njëjti gabim teknik ka qenë në Elbasan dhe të dy kandidatët deklaruan se do të vazhdonin për shkak se nuk kishin asnjë problem. Por, në momentin që ka fituar njëri prej tyre, zgjedhjet janë përsëritur sepse Kolegji Zgjedhor i ka quajtur absolutisht të pavlefshme”, u shpreh Hysen Osmanaj, anëtar i KQZ-së.

Në Vorë nuk kanë munguar votuesit, që kanë ngritur pretendimin se nuk u lejohej të votonin. Dhe kjo, jo nga komisionerët, por nga grupe militantësh jashtë qendrave të votimit.

“Ç’është e vërteta, ne po qëndrojmë këtu. Jemi nga Peza, na bashkon e njëjta bashki. Kemi marrë hyrje me qira këtu shumë kohë më parë, por nuk e di… Dalin 10-15 vetë përpara, na presin rrugën dhe thonë që nuk do të votojmë, duke u justifikuar si pjesëtarë të shumë institucioneve, por pa asnjë lloj dokumenti identifikues. Nuk e di përse, por nuk na lejojnë të hyjmë”, thotë një votues, i cili gjithsesi, ia doli të votojë…

Top Channel