Ambasadorët dhe vëzhguesit ndjekin procesin, mbajnë shënim ecurinë

21/06/2015 00:00

Siç është deklaruar paraprakisht, i gjithë procesi i votimit është duke u shoqëruar nga afër prej komunitetit ndërkombëtar.

Numrit prej 283 vëzhguesish iu bashkangjitën për monitorimin e procesit zgjedhor edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë. Dy orë pas nisjes së votimeve ambasadori amerikan Donald Lu dhe shefja e misionit të BE-së, Romana Vlahutin ishin në Vorë për ndjekjen e këtij procesi.

Pak minuta më pas, Lu postoi një koment në Twitter ku shprehej: “Unë jam një prej 300 vëzhguesve ndërkombëtarë e qindra vëzhgues vendorë, të cilët po i vëzhgojnë këto zgjedhje nga afër. Jemi këtu për të mbështetur qytetarët shqiptarë dhe të drejtën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Gjithashtu, shefja e misionit të BE në Tiranë, Vlahutin ritheksoi se, “procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë dhe i ndershëm”. Vlahutin, veç Vorës, ka ndjekur nga afër procesin e votimit dhe në qendrat e Durrësit e Kavajës.

Gjatë ditës së sotme nuk ka munguar në terren si pjesë e trupit vëzhgues as ambasadori italian, Massimo Gaiani, i cili e ndoqi procesin e votimit nga një qendër në Mëzez, nga ku deklaroi se:

“Ambasadori italian u qëndron afër qytetarëve shqiptarë në një moment të rëndësishëm. Vota është një nga shprehjet themelore të demokracise”.

Pasi diskutoi mbi mbarëvajtjen e procesit me disa komisionerë, ai e mbylli deklaratën e tij me një urim drejtuar të gjithë shqiptarëve, për zgjedhje të mbara dhe të lira”.

Ndërsa shefja e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Audry Glover e ka vëzhguar këtë proces nga kryeqyteti. Ajo deklaroi nga qendra e votimit në shkollën “Hasan Prishtina”, se gjithçka është paraqitur e qetë, por duhen pritur raportet nga të gjitha qendrat e votimit për të dalë në një përfundim mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Po vëzhgojmë procesin e votimit. Do të flasim gjerësisht nesër në konferencën tonë per shtyp. Gjithashtu po presim raportet nga të gjitha qendrat e votimit, pasi unë personalisht kam vëzhguar vetëm dy qendra”, deklaroi Glover.

Në Tiranë gjithashtu kanë ndjekur nga afër procesin ambasadori anglez, Nicholas Cannon dhe ai francez. Gjermani Helmut Hoffman dhe homologia e tij holandeze kanë qenë në Vorë, Kamëz dhe Krujë.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Spanjës, Cortes u nis që në orët e para në qendrat e Shkodrës, ndërsa i dërguari me punë i Suedisë ka monitoruar procesin në Himarë e Sarandë.

Top Channel