Votuan krerët e shtetit dhe qeverisë; Apel për pjesëmarrje dhe qetësi

21/06/2015 00:00

Gjatë paradites votuan edhe drejtuesit më të lartë të shtetit dhe qeverisë: Presidenti Nishani, kryetari i Parlamentit Meta, kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha. Në mesazhet e tyre, ata bënë thirrje për qetësi dhe pjesëmarrje në votime. Ndiqni më poshtë deklaratat e tyre dhe në video momentet e votimit të tyre.

Mesazhi i Presidentit Nishani: Sot të gjithë kemi të njëjtën fuqi, atë të votës

“Dua që sot të çoj një mesazh mirënjohjeje anembanë vendit të gjithë komisionerëve dhe numëruesve. Ata sot janë gjykatësit, qeveritarët dhe menaxherët e vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Puna e tyre është një përgjegjësi e madhe dhe kontribut real, më së shumti vullnetar, për vendin dhe demokracinë e vendit. Ndaj dua t’i falënderoj ata për përkushtimin dhe angazhimin që kanë dhe besoj se të gjithë votuesit do t’i respektojnë ata, në kërkesat dhe zbatimin e ligjit. Sot të gjithë qytetarët, që nga Presidenti i vendit, por edhe të gjithë qytetarët nga Vermoshi në Konispol, kanë të njëjtën fuqi përmes votës së tyre. Iu siguroj se vota është e fshehtë, vota është e lirë dhe askush nuk do t’i kontrollojë ata sesi do të votojnë”, tha Presidenti Bujar Nishani.

Voton Ilir Meta, ftesë për qetësi. Thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në votime

“Nga nesër do të kemi një Shqipëri tjetër, me një organizim të ri administrativo-territorial. Secili le të vijë të japë vullnetin e bindjen e tij, i pandikuar nga askush, në mënyrën më të lirë dhe më demokratike, siç u takon të gjithë qytetarëve shqiptarë si qytetarë europianë. Të gjithë duhet të kontribuojnë që zgjedhjet të arrijnë standardin më të lartë europian. U bëj thirrje të gjithëve të distancohen nga çdo lloj tensionimi artificial dhe të punojnë të gjithë bashkë, komisionerët e më pas numëruesit, që të respektohet vota e çdo qytetari të vendit tonë, që duhet të shprehet në mënyrën më sovrane. U bëj thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo lloj incidenti dhe tensionimi, e secili të shkojë e të votojë i pandikuar nga askush, e të shprehë vullnetin e tij”, tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Rama voton për herë të parë në Surrel: Proces historik për reformën territoriale

“Pavarësisht se për kë votojnë, kushdo që voton janë qytetarë të mirë dhe që meritojnë respekt. Kush nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet”, u shpreh kryeministri Rama.

Media: Zoti Rama, si u ndietë sot që votuat në Surrel?

Kryeministri Rama: Si katundar me fat, sepse nuk ka më katundarë dhe qytetarë, por janë të gjithë qytetarë të barabartë, nga qendra e Tiranës e deri në fshatin më të largët.

Basha, thirrje për pjesëmarrje: Vota është gjykimi juaj për të ardhmen

“Dua t’u bëj thirrje qytetarëve të Tiranës dhe anembanë Shqipërisë që të ndajnë pak minuta nga koha e tyre, të vijnë në qendrën e votimit dhe të hedhin votën e tyre. Sepse vota juaj, të nderuar qytetarë, është fuqia juaj, vendimi dhe gjykimi juaj, është momenti i sovranitetit tuaj. Vendimet merren nga ata që votojnë. Ndaj ejani masivisht dhe jepni votën tuaj për të ardhmen tuaj, të familjes suaj dhe fëmijëve tuaj. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Top Channel