Kukës, ishin liruar nga paraburgimi, por nuk gjetën emrin në listë. Votojnë në burg

21/06/2015 00:00

Rikthehen në burg për të votuar. Pasi nuk kanë gjetur emrat e tyre në asnjërën nga Qendrat e Votimit në Bashkinë e Kukësit, 6 persona të liruar nga paraburgimi ditë më parë kanë qenë të detyruar të rikthehen në Qendrën e Votimit, që ndodhet në dhomën e Paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, për të shfrytëzuar të drejtën e votës.

“Ata kanë ardhur me vendim gjykate dhe të pajisur me kartë identiteti. Kanë votuar 6 persona, që kanë dalë jashtë dhe janë kthyer brenda. Janë liruar, por kanë pas emrin në listën e votuesve këtu, ndaj dhe kanë ardhur dhe kanë votuar”, tha Edmond Braho, kryetar i Qendrës së Votimit 636/1.

TCH: I keni lejuar?
Braho: Po.

TCH: S’ka pasur asnjë problem?
Braho: Jo. Kanë qenë në dhomën e Paraburgimit.

TCH: Të gjithë kanë qenë nga Kukësi?
Braho: Po, nga qyteti i Kukësit.

Në dhomën e Paraburgimit pranë policisë së Qarkut, në Kukës, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 26 persona nga 33 gjithsej, ndërsa procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë.

“Numri i votuesve nga burgu apo Qendra e Votimit 636/1 ka qenë 33. Nga këta kanë votuar vetëm 26 persona. Nuk ka pasur asnjë problem, ka shkuar shumë mirë mbarëvatja e procesit zgjedhor”, tha Edmond Braho.

Top Channel