Luzi: Votimi u mbyll, materialet drejt VNV-ve. Në Pustec ka nisur numërimi

21/06/2015 00:00

Kryetarja e KQZ, Lefteri Luzi, në deklaratën e parë pas përfundimit të procesit të votimit, ka bërë me dije se procesi shkoi mirë, pa probleme dhe me një pjesëmarrje mbi 45 për qind.

“Mbyllja e procesit shkoi mirë dhe sipas orarit, përveç Vlorës dhe Shkodrës ku pati radhë votuesish. Rreth orës 19:50 janë kryer procedurat për mbylljen e qendrave dhe për dorëzimin e kutive dhe materialeve zgjedhore në vendet e numërimit”, ka deklaruar Luzi.

Kryetarja e KQZ-së ka theksuar se, procesi po monitorohet dhe vijon normalisht dhe u ka bërë thirrje numëruesve që të tregojnë përgjegjshmëri me menaxhimin e materialeve të votimit.

“Në disa KZAZ, si në Shkodër e Vlorë, ende nuk janë emëruar numëruesit. Ndërsa në Pustec ka nisur numërimi i votave”, ka konfirmuar Luzi, e cila ka shtuar se mesatarja e pjesëmarrjes në zgjedhje ka rezultuar 45 për qind.

Ndërkohë, nga të dhënat e mëvonshme të KQZ ka rezultuar se pjesëmarrja ka qenë në kuotën 47.62 për qind.

Top Channel