Vlorë, Leli: Qytetarët refuzuan alternativën e betonit

21/06/2015 00:00

Kandidati i majtë për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli, në daljen e parë publike pas përfundimit të votimit, ka falenderuar qytetarët për fushatën civile dhe procesin e votimit, që ai e ka quajtur “fantastik”.

“Falenderoj ata që votuan Aleancën për Shqipërinë Evropiane dhe mua. I siguroj të gjithë se kishim një proces zgjedhor korrekt e me qytetari. Kjo duhet përshëndetur, rezultati vjen më vonë, por jam i sigurt për fitoren e ASHE”, ka thënë Leli.

Ai është shprehur se, gjithë këto ditë ka ndjerë mbështetjen e jashtëzakonshme të vlonjatëve, të cilët sipas tij, “i thanë jo alternativës së betonizimit të Vlorës”.

Duke qëndruar në këtë kontekst, i pyetur nga studioja e Top Channel se kush e bëri betonizimin e Vlorës, me hezitim dhe në vështirësi, Leli është përgjigjur: “Fushata mbaroi, kështu që komentet nuk kanë vlerë”.

Ndërsa sa i takon pjesëmarrjes së ulët në votime, kandidati i majtë ka shprehur bindjen se në proces kanë munguar votuesit e partive të tjera dhe jo ata të aleancës së majtë.

Top Channel