Bumçi: LSI kërkon të marrë Lezhën me forcë. Janë shtuar 324 të dënuar nga e gjithë Shqipëria

21/06/2015 00:00

Mbrëmjen e së dielës, vetëm pak orë pasi ka mbaruar procesi zgjedhor dhe ende pa nisur mirë numërimet nëpër ZAZ, Partia Demokratike ka denoncuar atë që e konsideron si akt të paprecedentë, për vendosjen e rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Lezhës vetëm nga një kuti e burgut të Shën Kollit, ku ajo që nuk shkon, sipas Bumçit, është fakti që nga ky burg kanë votuar jo vetëm të burgosur rezidentë të Lezhës, por të burgosur nga e gjithë Shqipëria.

“Dua të denoncoj një masakër të vërtetë zgjedhore që po ndodh tani, në burgun e Shën Kollit. E para, në mënyrë të paprecedentë, siç nuk ka ndodhur në këto 24 vite, të gjithë të burgosurit e Burgut të Shën Kollit janë përfshirë në listën e votimit për Bashkinë e Lezhës. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në zgjedhje vendore”, ka thënë Bumçi.

Bumçi ka theksuar se, Kodi Zgjedhor thotë se deri në 40 ditë përpara zgjedhjeve mund të bëhet ndryshimi i vendbanimit dhe i listës zgjedhore, por kjo sipas tij ka ndodhur përpara dy ditësh, kur të gjithë të burgosurit nga Tirana, Shkodra e Dibra janë përfshirë për të votuar në Lezhë.

“Dje gjykata dhe sot në 1 e gjysmë të mëngjesit KQZ-ja ka marrë një vendim që të përfshijë në listën zgjedhore jo 103 votues që janë nga Lezha me të drejtë votimi, por edhe 354 të tjerë nga e gjithë Shqipëria. Duan ta fitojnë Bashkinë e Lezhës me të burgosur nga e gjithë Shqipëria”, ka vijuar Bumçi.

Por më e rëndë, ka vijuar ai, është ajo që po ndodh tani. “Dy orë pas mbylljes së procesit zgjedhor, komisionerët nuk po lejohen të dalin nga Burgu i Shën Kollit. Mbahen të mbyllur dhe nën presion. Viktor Tusha ka qenë sot me stafin e tij brenda në burg, duke ushtruar presion. Nuk mundet LSI ta marrë Lezhën me gjithë të burgosurit e Shqipërisë”, është shprehur Bumçi.

Sipas tij, kjo që po ndodh është një turp i madh dhe një masakër që nuk mund të pranohet. “Ajo kuti nuk mund të vendosë fatin e Bashkisë së Lezhës, por ky fat do të vendoset nga qytetarët lezhianë, nga Bregu i Matës deri në kufi me Shkodrën, por jo kutia e burgut nën dhunë dhe me një shkelje të paprecedentë që të burgosurit nga e gjithë Shqipëria, jo rezidentë në Lezhë, të vendosin për këtë bashki”, ka thënë deputeti i PD.

Ai ka shtuar se, në vitet e tjera, në të gjitha burgjet është votuar për zgjedhje të përgjithshme nga të gjithë të burgosurit, ndërsa për zgjedhje lokale kanë votuar vetëm të burgosurit që janë banues në atë bashki.

Top Channel