Fier, Alibeaj falënderon votuesit: Do të pranoj çdo rezultat

21/06/2015 00:00

Në një dalje për mediat pas përfundimit të procesit zgjedhor, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj, duket se ka vlerësuar procesin e zhvilluar deri më tani, e pse jo shpreson dhe uron që edhe numërimi i votave të zhvillohet me të njëjtin standard siç edhe filloi fushata dhe siç u zhvilluan votimet.

“Një proces që besoj dhe shpresoj të jetë i tillë në të njëjtën linjë dhe në të njëjtin standard ashtu siç ka filluar fushata, si u zhvillua edhe dita e zgjedhjeve, dhe besoj se do të jetë i tillë. Kocka e fortë demokrate e publikut fierak ishte e tillë që vendosi kufirin e vet ndaj çfarëdo lloj tentative për të manipuluar procesin zgjedhor”, shprehet Alibeaj.

Sa i përket pjesëmarrjes, në këndvështrimin e Alibeajt mund të thuhet se ka qenë një pjesëmarrje e vlerësueshme, veçanërisht sepse, sipas tij, nga 44,4 për qind e votuesve fierakë thuajse i gjithë elektorati demokrat ka dalë në zgjedhje.

“Kanë marrë pjesë 44,4 për qind, pra 68 mijë e 100 votues në të gjithë bashkinë e madhe, ku i gjithë elektorati i djathtë ka dalë në zgjedhje, e kushdo mund të bëjë llogaritë duke bërë krahasimin me 2011-n. Pjesëmarrja më e madhe sigurisht ka qenë në ato komuna që janë bastione të PD-së, pjesëmarrje e madhe ka qenë edhe në ato pjesë të qytetit, të cilat historikisht janë edhe bastione të PD-së. Mund ta thuash pa frikë se cili është rezultati i këtyre zgjedhjeve. Entuziazmi, energjia, rrezatimi i publikut fierak për të marrë pjesë sot në zgjedhje”, deklaroi Alibeaj.

Në lidhje me rezultatin e votimeve, Enkelejd Alibeaj shprehet i hapur për çfarëdo lloj rezultati, të cilin siç shprehet thjesht do ta pranojë, nëse gjithçka shkon sipas përmbushjes së standardeve.

“Unë do të pranoj çfarëdo lloj rezultati dhe e them me sportivitet, jo thjesht dhe vetëm për faktin që e gjithë sjellja dhe trajektorja jonë ishte pikërisht kjo: standardet e procesit”, tha kandidati demokrat për Bashkinë e Fierit.

Top Channel