Korçë, Sotiraq Filo: Pjesëmarrje në kufijtë e normales, falënderoj votuesit

21/06/2015 00:00

Në një koment të shkurtër për Top Channel pas përfundimit të procesit zgjedhor, në pritje të numërimit të votave, kandidati i së majtës Sotiraq Filo u shpreh se pjesëmarrja nuk mund të konsiderohet e ulët krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, por thjesht në kufijtë e normales.

“Nuk do të thoja që pjesëmarrja është e ulët, por për mua është në kufijtë e normalitetit për zgjedhje lokale. Sipas të dhënave që ne kemi, në Bashkinë e madhe të Korçës kanë marrë pjesë rreth 44 mijë votues, nga të cilët 30 mijë në qytetin e Korçës dhe 14 mijë në komunat që i bashkohen bashkisë së re. Duke pasur parasysh që në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, numri i pjesëmarrësve në Bashkinë e qytetit ishte rreth 51 mijë votues, besoj se jemi në kufij normalë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë banorët e qytetit të Korçës dhe të komunave që dolën dhe votuan duke shprehur vullnetin e tyre në këto zgjedhje”, u shpreh kryetari aktual i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Top Channel