Ish-kryeministri Berisha apel ndërkombëtarëve: Të mos përligjen zgjedhjet

22/06/2015 00:00

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një interviste telefonike prej më shumë se 30 minutash me gazetarin Sokol Balla në maratonën e zgjedhjeve lokale 2015, dha disa shpjegime në lidhje me procesin, kandidimet, por edhe atë që pritet nga numërimi.

Berisha kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për të mos përligjur këto zgjedhje, që sipas tij, kanë pasur mjaft probleme.

“Nuk synoj aspak të bojkotojmë zgjedhjet, nuk synoj aspak të ndërpresim procesin, por synoj t’i them të vërtetën komunitetit ndërkombëtar dhe të ndëshkohet kjo qeveri për të gjithë këtë zinxhirë presionesh, dhune, terrori, parash, shëmtirash me të cilat veproi në këto zgjedhje. Edi Rama ka shkelur çdo standard të zgjedhjeve në këtë fushatë dhe këto janë zgjedhje të padenja, pavarësisht nga rezultati”, ka thënë Sali Berisha.

Pyetjes së gazetarit Sokol Balla në lidhje me atë nëse do e pranonte rezultatin Partia Demokratike, nëse fitues do të ishin kandidatët e opozitës, Berisha dha këtë përgjigje.

“Unë i bëj thirrje partisë që kategorikisht të mos bojkotojë procesin, ju bëj thirrje numëruesve, komisionervë të partisë të kryejnë me përkushtimin më të madh detyrën para ligjit, ky është dallimi ynë me këta zotërinjtë, ne nuk bojktojmë, por ne do të bëjmë betejën më të fuqishme, në emër të interesit të shqiptarëve kundër këtyre zgjedhjeve. Jo bojkot, në asnjë rrethanë, por të dhunohen të gjitha parimet e zgjedhjeve të ndershme, kush të dojë t’i shpallë të tilla, ne do të vazhdojmë të palëkundur gjersa të bindim edhe zyrtarin e  fundit ndërkombëtar se në këto zgjedhje u dhunuan haptas parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, ka deklaruar ish-kryeministri Berisha.

Si në të gjitha daljet e tij publike, Berisha ka folur gjerësisht për kandidatët e inikriminuar, jo vetëm për kryetarë bashkie, por edhe për këshilltarë.

“Nuk ka ndodhur kurrë që të kandidohen kriminelë të ditur në rekorde kriminale, ku komuniteti ndërkombëtar, partnerët tanë, të kërkojnë largimin e tyre dhe kreu i qeverisë të lëshojë certifikatat publike për ta duke dëshmuar se është udhëheqësi i tyre”, është shprehur ish-kreu i PD-së.

Top Channel