Shkodër, Bazhdari: Shkodranët do të hapin një kapitull të ri; Ademi: Do të mbrojmë votën e lirë

22/06/2015 00:00

Me të përfunduar procesi i votimit në qytetin e Shkodrës, dy kandidatet për kryebashkiake, të asaj që përbënte risinë e vetme dhe të parë të këtij lloji në këto zgjedhje vendore, pra përplasjen mes dy femrave për pushtetin lokal, kanë dhënë nga një deklaratë të shkurtër për mediat.

Keti Bazhdari, e propozuara e mazhorancës për kryebashkiake të Shkodrës, u shpreh optimiste dhe e bindur se shkodranët do të kenë vendosur me vullnetin e tyre hapjen e një kapitulli të ri për të ardhmen e tyre.
 
“Tashmë që populli i Shkodrës ka folur, na takon të gjithëve ta lexojmë vullnetin e tij. Jam optimiste dhe e bindur që shkodranët sot kanë vendosur të hapin një kapitull të ri për të ardhmen e tyre”, deklaroi kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari.

Ndërkohë, rivalja e saj për kreun e Bashkisë së Shkodrës, e propozuara e opozitës për këtë post, Voltana Ademi, vijoi thuajse në të njëjtin qëndrim me përfaqësues të tjerë të partisë së saj, duke trumpetuar pjesëmarrjen domethënëse të qytetarëve shkodranë në votime, siç e quajti ajo, duke diktuar një qëndrim përkundrejt tentativave për manipulim.

“Pjesëmarrja e qytetarëve dhe banorëve të Shkodrës në votime ka qenë domethënëse dhe, në njëfarë mënyre, ka diktuar një qëndrim përkundrejt çdo tentative për manipulim. Kjo është e rëndësishme për t’u thënë. Ne do të vazhdojmë të përfundojmë procesin e dorëzimit, përmes një sigurie që do të duhet të garantohet deri në fund, përveç një procesi të rregullt të regjistrimit dhe dorëzimit të kutive pranë VNV-ve. Ne do të vazhdojmë duke i siguruar zgjedhësit se do të mbrojmë votën e lirë, do të mbrojmë vullnetin e sovranit dhe do t’i numërojmë çdo votë atij”, u shpreh kandidatja demokrate për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi.

Top Channel