Elbasan, Ardjan Turku: Kërkoj zbatimin e Kodit Zgjedhor, policia nuk ka ndërhyrë

22/06/2015 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Elbasanit, Ardjan Turku foli në Top Channel mbi ecurinë e procesit zgjedhor në këtë bashki.

Turku u shpreh i shqetësuar për numrin e lartë të personave në pallatin e sportit ku po kryhet procesi i numërimit të votave dhe tha se e ka ngritur këtë problem, por deri tani situata nuk është se ka ndryshuar.

“Ne kërkojmë vetëm respektimin e Kodit Zgjedhor, i cili parashikon që për çdo ekran të ndodhen vetëm 3 persona nga secili koalicion, por pallati i sporti ishte mbushur mbi 300 persona, sikur ishte duke u zhvilluar një ndeshje”, tha Turku, i cili shtoi se KZAZ është e pafuqishme për largimin e militantëve.

Turku, i pyetur nëse kishte ndonjë rast konkret për shkelje të procesit zgjedhor, ai ka thënë se janë hedhur para të mëdha për blerje votash. “Nuk e di sa mund të ketë shkuar shuma e parave të hedhura nga kundërshtari, por ju siguroj që ishte e madhe. Ata kanë shfrytëzuar komunitetin rom dhe atë egjiptian, si dhe zonat rurale”, tha Ardjan Turku.

Top Channel