Është diskutuar prej kohësh dhe për agjencinë e lajmeve Bloomberg, ideja e hedhjes së një monedhe paralele në tregun grek, ia vlen të merret në konsideratë. Në një rast të tillë, Athinës mund të mos i duhet të largohet nga Eurozona.

Skenari, i pranuar deri diku si mundësi edhe nga ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, tani rikthehet në qarkullim.

Me nxjerrjen e monedhës paralele, ekzekutivi grek do të ishte në gjendje të paguante pagat e punonjësve civilë e në thelb, ajo do të përbënte një lloj deklarate borxhi të qeverisë, me të cilën mund të kryhen transaksione të tjera.

Emri i propozuar që përpara tre vjetësh për monedhën në fjalë është Geuro, ide kjo e Thomas Mayer, asokohe krye ekonomist i Deutsche Bank, ndërsa sot themelues dhe drejtor i Institutit të Kërkimeve “Flossbach von Storch” në Këln.

Por, si vetë Banka Qendrore e Greqisë, BQE-ja, apo Banka Federale Gjermane, i shmangen një reagimi të qartë mbi këtë çështje. Ngurrimi i tyre, sipas ekspertëve, është i kuptueshëm.

Euroja mbetet në këndvështrimin e tyre paraja e vetme zyrtare dhe diskutimi i alternativave konsiderohet gjithmonë sikur po flitet për fundin e bashkimit monetar në formën e tanishme. Në parim, përdorimi i një monedhe paralele nuk do të ishte dhe aq i vështirë.

Për realizimin e kësaj skeme do të duhen disa sipërmarrje të gatshme që krahas euros të pranojnë edhe një monedhë tjetër, paranë rajonale, si dhe konsumatorët që do ta vënë atë në përdorim.

Dhe në Greqi, ekonomia e së cilës nuk i përgjigjet dot nivelit të euros, një monedhë e tillë edhe mund të funksionojë. Ndërkohë, Banka Qendrore Greke ka bërë të qartë se nuk përdor dot dhrahminë e dikurshme, sepse me hyrjen e euros kartmonedhat e vjetra janë asgjesuar thuajse të gjitha.

Ekspertët kujtojnë rastin e Malit të Zi që në 1996 hoqi dorë nga dinari jugosllav në favor të markës gjermane, ndërsa në vitin 2000, Ekuadori e nxori nga përdorimi monedhën e tij “sucre ekuadoras”, duke preferuar dollarin amerikan për shkak se ato që ishin regjimet e kartmonedhave paralele u konsideruan të panevojshme për vendin. 

Top Channel