Greqia përballet me 24 orë kritike ndërsa në samitin e krizës në Bruksel liderët e Bashkimit Europian do të përpiqen të gjejnë zgjidhjen e ngërçit të krijuar prej borxhit të saj.

Aleksis Tsipras e përjashton kategorikisht mundësinë e shkurtimit të pensioneve dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Por, pak përpara takimit të emergjencës, kryeministri grek ka paraqitur propozime të reja në vazhdën e përpjekjeve për të parandaluar dështimin në shlyerjen e huasë prej 1.6 miliard eurosh, që Greqia i detyrohet FMN-së.

Detajet e planit të tij nuk janë bërë publike, por një zyrtar i lartë europian tha sot se propozimet duken mjaft premtuese. Athina duhet ta paguajë Fondin Monetar deri në fund të qershorit, në të kundërt rrezikon daljen nga Eurozona e mbase edhe nga vetë unioni.

Bisedimet kanë mbetur në vendnumëro prej 5 muajsh. Komisioni Europian, FMN-ja dhe BQE-ja nuk duan ta zhbllokojnë fondin prej 7.2 miliardë eurosh të dorëzanisë deri sa Athina të pajtohet me reformat ekonomike të kërkuara prej tyre.

Vëmendja tanimë është përqendruar në Bruksel, nga ku priten përgjigjet e pyetjes: a do të ndodhë “Grexiti” i shumëpërfolur, apo Greqisë do t’i jepet një shans i fundit dhe do të vazdojë të përdorë monedhën e përbashkët europiane?

Nervat e të gjitha palëve janë të tendosura. Durimi po merr fund, si tek grekët, edhe tek 18 vendet e tjera të Eurozonës. Pothuajse kudo – edhe në Gjermani – pyetja është nëse grekët kanë luajtur fort, apo nëse ka ardhur koha për t’i dhënë fund dramës.

Sepse, sipas mendimit të shumë skeptikëve, Greqia nuk mund të ndihmohet më. Depozituesit grekë kanë tërhequr miliarda euro nga bankat vendase gjatë ditëve të fundit, duke e vendosur nën presion të madh sistemin bankar.

Ndonëse kjo e sotmja konsiderohet një ditë vendimtare për Greqinë, BBC thotë se, edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje në Bruksel, teorikisht palët do të kenë edhe një javë kohë për të tentuar gjetjen e një zgjidhjeje. 

Top Channel