Sulmohet Parlamenti afgan. Pas disa orë luftimesh vriten agresorët; 21 të plagosur

22/06/2015 00:00

Sulmi i koordinuar i talebanëve ndaj ndërtesës së Parlamentit në Kabul ka marrë fund dhe të 6 agresorët janë vrarë.

Lajmin e përcolli Ministria e Brendshme afgane, bashkë me sqarimet se mësymja, që tronditi kryeqytetin afgan mëngjesin e sotëm, ishte organizuar të koinçidonte me votimin e konfirmimit të ministrit të ri të mbrojtjes, të përzgjedhur nga Presidenti Ashraf Ghani.

Militantët shpërthyen një makinë të mbushur me eksplozivë përpara portave të kompleksit, e pas kësaj hynë në godinë. Dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar 9 shpërthime, e pas tyre kanë parë të ngrihej tym mbi ndërtesën e Parlamentit.

Televizioni afgan transmetoi pamje të largimit në panik të ligjvënësve, në radhët e të cilëve nuk ka pasur sidoqoftë viktima. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Mohammad Ismail Kaëassi, foli për të paktën 21 të plagosur, në mesin e tyre 5 gra dhe dy fëmijë.

Talebanët morën shumë shpejt, pas ngjarjes, përgjegjësinë e goditjes, që kishte – sipas tyre, – në shënjestër anëtarët e atij që quajnë “parlamenti i skllevërve”.

Mbështetësit e talebanëve kanë sulmuar ndërtesat qeveritare në kryeqytet përgjatë gjithë kryengritjes së tyre dhjetëvjeçare, që kur u larguan nga pushteti në një ndërhyrje të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Grupi militant ka shënuar përparim në veri të Afganistanit, ku raportohet të ketë nën kontroll një qark të krahinës së Kunduzit.

Top Channel