Fier, Subashi: Analizë votës brenda koalicionit të majtë

22/06/2015 00:00

Kandidati i PS për Bashkinë e Fierit, Armando Subashi, i cili ka siguruar tashmë fitoren, ka deklaruar se pas këtij procesi zgjedhor do të nisë një analizë mbi ndarjen e votës në koalicionin e majtë.

“Pa dyshim që situata meriton një analizë të votës brenda koalicionit tonë, por rezultati është brenda asaj që ne prisnim dhe kishim planifikuar”, ka deklaruar Subashi.

Ai ka shprehur besimin e tij se, PS do të ruajë nivelin e saj sepse edhe vota e kandidatit është një tregues në këtë drejtim.

“Ne jemi duke e parë këtë situatë, por me një sy të parë të rezultatit, PS do vijojë të ruajë pozicionin e vetë”, ka thënë ai.

Duke komentuar rezultatin e kampit rival, Subashi ka theksuar se, humbja e PD do të jetë e dyfishtë, jo vetëm për kandidatin por edhe për Këshillin Bashkiak të Fierit.

“Megjithatë, pavarësisht rezultatit, unë jam i kënaqur për standardet dhe ecurinë e procesit zgjedhor. Ka qenë një proces model që nga fushata zgjedhore, ku nuk ka pasur asnjë lloj eksesi nga ana e kandidatëve. Edhe dita e djeshme ka qenë një ditë e qetë, fantastike, pa asnjë lloj incidenti dhe po ashtu edhe dita e sotme. Kjo është arritja më e madhe e këtyre zgjedhjeve”, ka shtuar ish-deputeti i PS.

Top Channel