Europa hedh shortin, ja kundërshtarët e skuadrave shqiptare

22/06/2015 00:00

U hodh këtë të hënë në Nion të Zvicrës shorti për turet paraeliminatore të Ligës së Kampioneve. Skëndërbeu, kampioni në fuqi i Shqipërisë, do ta nisë nga turi i dytë këtë aventurë Europiane.

Në short, korçarët mund të thuhet se kanë pasur fat pasi do të ndeshen me fituesen e çiftit Krusaders-Levadia.

Ndeshja e parë e Skënderbeut me ekipin fitues të këtij çifti është parashikuar të luhet më 14 korrik në Korçë, kurse ajo e kthimit më 21 korrik në transfertë.

Ndërkohë është hedhur edhe shorti për skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në kupën Europa Ligë, Kukësi, Partizani dhe Laçi.

Nënkampionët e Kukësit do të përballen me bjellorusët e Torpedo Zhodino, Partizani me norvegjezët e Stromsgodset, ndërsa Laçi do të luajë ndaj azerëvë të Inter Baku.

Ndeshjet e para luhen më 2 korrik dhe ato të kthimit më 9 korrik. Të tre skuadrat shqiptare do t’i luajnë sfidat e para në shtëpi dhe një javë më pas do të udhëtojnë në transfertat përkatëse.

Top Channel