Carter: Nuk duam luftë të ftohtë me Rusinë, por ndaj rrezikut do reagojmë

22/06/2015 00:00

Edhe pse shtypi i huaj raporton prej ditësh planet e Pentagonit për të dërguar armatime të rënda dhe trupa ushtarake në Europën lindore, shefi i tij Ashton Carter deklaroi këtë të hënë se nuk ekziston asnjë dëshirë për një rikthim të luftës së ftohtë apo çfarëdo lloj konflikti tjetër me Rusinë.

Këto komente, sekretari amerikan i bëri gjatë një forumi në Berlin, ku u takua me homologen gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Perëndimi, siç u kujdes të bënte të qartë ai, nuk kërkon të armiqësohet me Rusinë, por do ta mbrojë veten nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Nuk do ta lejojmë Mosken të na tërheqë pas në të shkuarën, ishin fjalët e zyrtarit të lartë amerikan, ndaj derën e përmirësimit të marrëdhenieve do ta lëmë të hapur. Sipas tij, i takon Kremlinit të vendosë pas kësaj sesi do të veprojë.

“Ne nuk kërkojmë luftë të ftohtë, e jo më pastaj një luftë të hapur me Rusinë. Nuk duam ta bëjmë Moskën armike, por mos u gaboni në gjykim: ta dini se do t’i mbrojmë aleatët tanë, rendin ligjor ndërkombëtar dhe të ardhmen pozitive që ai na ofron ai”, deklaroi Carter.

Të martën Carter udhëton drejt Estonisë për një takim me ministrat e Mbrojtjes të këtij vendi dhe dy ish-republikave të tjera sovjetike, Letonisë dhe Lituanisë.

Bisedimet zhvillohen përpara takimit të NATO-s të mërkurën dhe të enjten në Bruksel, ku do të diskutohen planet e përballjes me Rusinë, të kthyer në një shqetësim për Perëndimin pas aneksimit të Krimesë vitin e kaluar dhe mbështetjes ushtarake që u jep separatistëve në lindje të Ukrainës.

Carter pritet të paraqesë në këtë takim nismën amerikane për dërgimin e tankeve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, të cilat duhet t’i mjaftojnë një brigade që do të mbështesë programet e stërvitjeve në Europën lindore.

Top Channel