Parma shpall zyrtarisht falimentin. Lamtumirë profesionalizmit, tashmë me Amatorët

22/06/2015 00:00

Tashmë është zyrtare, Parma shpall falimentin dhe do të duhet të rinisë gjithçka nga kategoria e Amatorëve.

Në ankandin për të blerë aksionet e klubit verdheblu nuk ka pasur asnjë ofertë, ndaj dhe një prej ekipeve më të njohura të Serie A tashmë i jep zyrtarisht lamtumirën futbollit profesionist. Pas braktisjes së dy përpjekjeve private, të vetmet dhe të fundit për ta mbajtur si klub profesionist, gjykatësi i deleguar me këtë çështje nuk ka mundur të bëjë gjë tjetër, veçse të shpallë falimentin e shoqërisë.

“Inspektorët e paaftësisë paguese të shoqërisë Parma FC S.p.A kanë komunikuar se sot, më 22 qershor 2015, ora 14:00, nuk ka mbërritur asnjë ofertë për të blerë këtë sipërmarrje sportive. Në orët e ardhshme, inspektorët do të ribashkohen me komitetin e kreditorëve dhe gjykatësin e deleguar për përcaktimet e nevojshme në lidhje me procedurën e falimentit”.

Fati i klubit verdheblu tashmë është i përcaktuar. Nuk ka më as Serie B, as ndonjë kategori më të ulët, por do të duhet ta rinisë edhe njëherë nga Amatorët. Mbetet për t’u parë nëse, pas falimentit, do të gjendet ndonjë sipërmarrës do të ketë dëshirën të rilindë ndonjë shoqëri tjetër futbolli në qytet.

Top Channel