Rusia i kundërpërgjigjet BE-së; ndalimi i importeve shtyhet me 6 muaj

22/06/2015 00:00

Rusia ka planifikuar të shtyjë ndalimin e importeve të ushqimeve nga Perëndimi edhe me 6 muaj, duke nisur nga fillimi i muajit gusht, por mund të shtojë edhe produkte të reja në listë, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e zgjeruara europiane kundër Moskës, bënë të ditur zyrtarë rusë gjatë së hënës.

Ministrat e Jashtëm të BE-së shtynë sanksionet ekonomike kundër Rusisë deri më 31 janar të vitit 2016, pas vendimit të marrë gjatë së hënës, duke vijuar kështu presionin ndaj Moskës për ta detyruar atë të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

“Duke marrë parasysh se BE-ja shtyu edhe më tej sanksionet kundër Federatës Ruse për 6 muaj, ju kërkoj të përgatisni propozimin tim ndaj Presidentit për të shtyrë edhe afatin kohor të dekretit presidencial për ndalimin e importeve po për këtë periudhë”, tha kryeministri rus, Dmitry Medvedev, gjatë një takimi me zëvendësit e tij.

Kjo lëvizje e Rusisë ishte e pritshme gjerësisht, edhe pse dekreti presidencial merrte fund më 8 gusht të këtij viti, pasi edhe më herët zyrtarët rusë ishin shprehur se vendimi i Kremlinit do të varej drejtpërdrejt nga shtyrja e sanksioneve europiane.

Ministria ruse e Agrikulturës ka nisur të propozojë një listë produktet importi që duhen përfshirë në listën e kufizimeve, madje duke përfshirë edhe ndonjë produkt të ri nga lista ekzistuese, bëri të ditur Ilya Ananyev, përfaqësues i ministrisë.

Dekreti që ndalon importet e produkteve me një vlerë prej 9 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Australia, Kanadaja dhe Norvegjia, u vendos vitin e kaluar me një afat njëvjeçar në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të Perëndimit për rolin e Rusisë në krizën e Ukrainës.

Por, Kremlini zor se mund të miratojë futjen e produkteve të reja në listën e ndalimeve, duke i qëndruar në këtë mënyrë asaj që ata e quajnë politike reciprociteti. Rusia ka pezulluar importet e frutave, perimeve, mishit, pulave, peshkut, qumështit dhe bulmetit.

Top Channel