Zgjedhjet, SHBA: Institucionet të sigurojnë sa më shpejt certifikimin e rezultateve

22/06/2015 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri u bën thirrje institucioneve shqiptare të sigurojnë certifikimin sa më të shpejtë dhe tërësor të rezultateve. Në një deklaratë për mediat, ambasada vlerëson se zgjedhjet vendore të 21 Qershorit ishin paqësore.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për ushtrimin paqësisht të të drejtës së tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet vendore më 21 Qershor 2015. Numërimi i votave vazhdon dhe u bëjmë thirrje institucioneve demokratike të sigurojnë certifikimin e shpejtë dhe tërësor të rezultateve”, apelon ambasada amerikane.

Ambasada e SHBA vlerëson se, ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. “Votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. Ne u bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera. Nxisim qeverinë dhe partitë politike të punojnë për t’i trajtuar këto gjetje dhe rekomandimet e tjera të ODIHR”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë.

Top Channel