Hapi “sekret” i Tsiprasit për Greqinë: Jo ulje pensionesh, por rritje taksash për biznesin dhe të pasurit

22/06/2015 00:00

Ato që i mbajti të fshehta Aleksis Tsipras dhe Janis Varoufakis, ia zbuloi BBC-së këtë të hënë ministri grek i Ekonomisë.

Në një intervistë ekskluzive për gjigantin mediatik, Giorgios Stathakis rrëfeu detaje të propozimeve të reja të Athinës për fundin e krizës së borxhit. Shpresat tani janë, që marrëveshja të arrijë të vuloset brenda kësaj jave.

Plani i ekzekutivit grek përfshin taksa të reja për bizneset dhe të pasurit, ndërsa një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian e ka cilësuar si një hap mjaft pozitiv. Greqia rrezikon falimentin, nese nuk i shlyen FMN-së deri në fund të qershorit huanë 1,6 miliardë euroshe që i detyrohet. E nëse falimenton, vendi helen mund të dalë nga Eurozona, e mbase edhe nga vetë Bashkimi Europian.

“Jam i bindur se propozimet e reja e kanë thyer ngërçin me kreditorët. Do të ketë rritje të Taksës mbi Vlerën e Shtuar për disa mallra të caktuara; rritje të taksave mbi biznesin dhe më të kamurit; nuk do të ketë shtim të çmimit të energjisë; nuk do të ketë reduktim të pensioneve e as të pagave të sektorit publik. Qeveria e Syrizas ka marrë vendim pa i kapërcyer vijat e saj të kuqe”, tha Giorgios Stathakis, ministër i Ekonomisë, Greqi.

Stathakis shtoi se ekzekutivi grek ka rënë dakord me FMN-në dhe anëtarët e Eurozonës, që sufiçiti buxhetor të jetë këtë vit 1% e GDP-së, 2% vitin e ardhshëm dhe 3% vitin pas tij.

Vëmendja tanimë është përqëndruar në Bruksel, nga ku priten përgjigjet e pyetjes: A do të ndodhë “Grexit” i shumëpërfolur, apo Greqisë do t’i jepet një mundësi e fundit dhe do të vazdojë të përdorë monedhën e përbashkët evropiane?

Nervat e të gjitha palëve janë të tendosura. Durimi po merr fund, si te grekët, edhe te 18 vendet e tjera të Eurozonës. Pothuajse kudo, edhe në Gjermani, pyetja tani është nëse grekët kanë luajtur fort, apo nëse ka ardhur koha për t’i dhënë fund dramës.

Ndonëse kjo e hënë konsiderohet një ditë vendimtare për Greqinë, BBC thotë se, edhe po nuk u arrit një marrëveshje në Bruksel, teorikisht palët do të kenë edhe një javë kohë për të tentuar gjetjen e një zgjidhjeje.

Top Channel