Luzi propozon heqjen e komisionerëve partiakë, Biba zëvendësimin e tyre me gjyqtarë e prokurorë

22/06/2015 00:00

Procesi torturues i numërimit dhe i vulosjes së rezultateve në zgjedhjet në Shqipëri, do të ekzistojë përsa kohë nuk kalohet numërimi nëpër qendrat e votimit dhe përsa kohë komisionerët janë partiakë.

Ky ishte sugjerimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi dhënë për Top Channel, si përgjigjie për pyetjen se përse po zbarritet procesi i numërimit në disa bashki, duke shkelur edhe Kodin Zgjedhor që parashikon përfundimin e procesit 24 orë pas mbylljes së qendrave të votimit.

“Nëse numërimi i fletëve të mos bëhej në vende të përqendruara, por në qendra votimi, kalimi në qendrat e votimit, aty ku bëhet votimi do të lehtësonte shumë procesin dhe brenda orës 12 do të kishim rezultatin. Numërimi në qendrat e votimit një dhe komisionerë jopartiakë dy, do të bënte që të kishim një rezultat të menjëhershëm”, deklaroi Luzi.

Në zgjatim të kësaj ideje, nënkryetari Denar Biba hodhi disa propozime.

“Një strukturë për t’i dhënë përgjigje kësaj, do të ishte trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë. Mendo që janë njerëz me përgjegjshmëi shumë të lartë se sa militantët e partive që janë sot. Komisionerë militantë partish, që para se t’i përgjigjen KQZ, u përgjigjen strukturave politike që i kanë çuar në ato vende”, tha Biba.

Vetë Luzi shtoi disa praktika europiane në vendet e tjera, ku janë vullnetarë numëruesit, ose zgjidhen me short nga një listë e shoqërisë civile.

Më tej, kreu i KQZ-së u ndal tek kritikat e vëzhguesve dhe raporti i ODHIR. Ajo tha se ku s’ka probleme politike, dalin në pah ato teknike, ndërsa raportin e ndërmjetëm të ndërkombëtarëve, e vlerësoi si normal.

“I gjithë raporti i OSBE/ODHIR është real. E rëndësishme është që u vlerësua dita e zgjedhjeve. Jemi përpjekur të përmirësojmë procesin. Në krahasim me zgjedhjet e 2013, nëse do të kishim zgjedhje parlamentare sot, besoj se do të kishte përfunduar më shpejt”, tha Luzi.

Lidhur me kritikat e raportit mbi vendimmarrjen e KQZ-së, Denar Biba deklaroi se kjo vendimmarrje është bërë në bazë të specifikave të veçanta, rast pas rasti.

Top Channel