Japonia kujton betejën e Okinavës, ku vdiqën rreth 200 mijë persona

23/06/2015 00:00

Japonia ka përkujtuar 70-vjetorin e përfundimit të Betejës së Okinavës, një nga më gjakësoret në Paqësor gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mijëra persona u mblodhën në monumentin e dëshmorëve, në qytetin e Itomanit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Shinzo Abe.

Rreth 80 mijë ushtarë japonezë vdiqën dhe më shumë se 100 mijë banorë të Okinavës u vranë ose kryen vetëvrasje gjatë betejës me forcat aleate që zgjati plot 82 ditë.

Në ishullin e Okinavës vdiqën edhe 12 mijë ushtarë amerikanë. Ky ishull shihej nga aleatët si një trampolinë për një pushtim të Japonisë. Pushtimi nuk erdhi kurrë pasi Tokio u dorëzua pas lëshimit të bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në gusht të vitit 1945.

Okinava mbeti e pushtuar nga ushtria amerikane deri në vitin 1972, kur Japonia rimori kontrollin e ishullit.

Top Channel