“Freedom House”: Shqipëria shënon përparim në nivelin e demokracisë

23/06/2015 00:00

Raporti më i fundit i “Freedom House” del në përfundimin se demokracia në vendet e rajonit të Ballkanit vazhdon të mbetet e brishtë, e në disa raste ka pësuar rënie.

Asnjë nga shtetet ballkanike, thuhet shprehimisht në raportin me titull “Vendet në Tranzicion” nuk ka një demokraci të konsoliduar. Shqipëria sidoqoftë, sipas “Freedom House” ka shënuar përparim në raport me vitin që shkoi, Kosova nuk ka pasur ndryshime, ndërsa Maqedonia është me rënie.

Shqipëria dhe Maqedonia konsiderohen në vazhdimësi pjesë e grupimit të regjimeve tranzicionale dhe hibride, ku hyjnë edhe Bosnjë-Hercegovina, Gjeorgjia, Moldavia e Ukraina

Në kategorinë e vendeve me demokraci gjysmë të konsoliduar, një vlerësim më i lartë se sa ai i regjimeve hibride, këtë vit bëjnë pjesë Serbia dhe Mali i Zi, por edhe vende të BE-së, si Bullgaria, Kroacia, Hungaria dhe Rumania.

Ndër shtetet me nivelin më të lartë të demokracisë renditen Sllovenia, me vlerësimin më pozitiv nga të gjithë të tjerët, Estonia, Letonia, Polonia, Republika Çeke, Lituania dhe Sllovakia.

Kosova bën pjesë në kategorinë e regjimeve gjysmë autoritare, së bashku me Armeninë dhe Kirgistanin. Nga e gjithë analiza që “Freedom House” i ka bërë situatës së rajonit, krahasuar me vitin 2014, Shqipëria, sipas organizatës ndërkombëtare, është i vetmi vend i Ballkanit që shënoi përmirësim në nivelin e demokracisë në përgjithësi.

Ky përmirësim i detyrohet ndërmarrjes së disa reformave dhe hapave paraprakë në luftën kundër korrupsionit nga qeveria që u zgjodh në vitin 2013. por me sa duket, ende nuk është mjaftueshëm, pasi në renditjen e përgjithshme të 7 vendeve të Ballkanit vetëm Bosnja dhe Kosova mbeten pas saj.

Ndërkaq, në mënyrë të veçantë theksohet fakti që sistemi gjyqësor ende nuk ka demonstruar se merr përsipër ndjekje penale të nivelit të lartë.

Sipas “Freedom House”, gazetaria hetimore është e dobët, pasojë edhe e krimit të organizuar që vazhdon të mbetet shumë i përhapur. Raporti përmend faktin që Shqipëria mori në vitin 2014 statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, pas tre refuzimeve të mëparshme.

Top Channel