Propozimet e reja greke ringjallin shpresën për shmangien e falimentit

23/06/2015 00:00

Liderët e Eurozonës i kanë mirëpritur përgjithësisht propozimet e reja greke të reformave që preknin bizneset e të pasurit, por jo pensionet dhe rrogat në sektorin publik. Shpresat tani janë që një marrëveshje të vuloset brenda javës, duke shmangur kështu falimentin e vendit për shkak të borxhit që duhet t’i shlyejë FMN-së deri në fund të muajit.

Për kancelaren gjermane Angela Merkel, oferta e Athinës përbën një “lloj progresi”, edhe pse ka ende punë për të bërë dhe koha nuk premton. Në parim, megjithëse nuk ka ende një ujdi, pengesat më të mëdha për arritjen e saj duket se janë larguar nga rruga. Marrëveshja që po merr formë në Bruksel besohet të përfshijë taksa të reja mbi bizneset dhe në pasuritë në Greqi, rritje selektive të tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe një shtim të arsyeshëm të kontributeve të pensionit.

Ministrat e Financave të Eurozonës do të mblidhen sërish të mërkurën për të diskutuar mbi atë që për bllokun është kthyer në çështjen më të ngutshme të momentit, me shpresën se paketa do të arrijë të aprovohet dhe mëngjesin e së enjtes do të jetë në tryezën e liderëve të zonës së monedhës së përbashkët për të marrë aprovimin përfundimtar.

Vetëm me t’iu dhënë drita jeshile paktit për Greqinë, kreditorët do të jenë të gatshëm të zhbllokojnë 7,2 miliardë euro fonde të dorëzanisë, të ndara për Athinën, por me kushte. Në përfundimin e samitit të jashtëzakonshëm të së hënës, Merkel u shpreh se të gjithë vendet anëtare dëshirojnë që Greqia të qëndrojë në Eurozonë, edhe pse mbetet ende shumë për të bërë. Kancelarja e bëri të qartë se është e gatshme të rikonsiderojë lehtësimin e borxhit grek, por vetëm pas mbylljes së negociatave të tanishme.

Ekspertët mendojnë se borxhi masiv grek duhet ristrukturuar, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i shpëtojë qerthullit mbytës të sigurimit të fondeve për të paguar faturat e çmendura të kreditorëve.

Top Channel