Konferenca e BE-së për transportin: Integrimi i Ballkanit do të vijë edhe përmes rrugëve

23/06/2015 00:00

Në prag të mbylljes së Presidencës letoneze, në Riga po mbahet konferenca dyditore e nivelit të lartë mbi transportin në Bashkimin Europian, por dhe Ballkanin Perëndimor, meqënëse 6 vendet e rajonit janë pjesë thelbësore e rrjetit ndëreuropian, siç u konfirmua në Bruksel me tryezën e kryeministrave, më 21 Prill.

“Hapat e mëtejshëm të integrimit të Ballkanit në këtë rrjet qëndror” u diskutuan në takimin e posaçëm të Komisioneres Violeta Bulc me ministrat e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Në deklaratën e saj për shtyp, komisionerja sllovene e konsideron tryezën me Ballkanin “një gur themeli për lidhjen e Europës me fqinjët”.

Ngritja e një rrjeti të integruar të transportit për lehtësimin e lëvizjeve të njerëzve dhe të tregtisë do të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të Ballkanit, sipas saj. “Zbatimi i suksesshëm i rrjetit qëndror në këtë rajon, sidoqoftë, do të varet nga përcaktimi i duhur i “bërthamës” së projekteve prioritare,” vijon deklarata, ku “përveç investimeve në infrastrukturë, duhen ndërmarrë masa horizontale për ta bërë sistemin e transportit më eficent në Ballkan, por dhe më tërheqës ndaj investimeve të huaja”. Ministrat e Ballkanit shqyrtuan hartat për zgjerimin e rrjetit qëndror, ndërkohë që janë pajtuar për mandatin e Koordinatorit të Korridorit dhe presin për mbajtjen e tryezës së Vienës më 27 Gusht.

Violeta Bulc, Komisionere e BE për Transportin, tha: “Prej shumë vitesh po punojmë fort për këtë krijim kuadri ligjor, të mirëvendosur dhe afatgjatë, i cili do mund t’i rezistonte presioneve të kohës dhe të politikës”.

Në këtë konferencë, mbi 1000 pjesëmarrës dhe 16 Ministra të BE-së diskutojnë për politikat e infrastrukturës së transportit europian, me fokus në zgjidhjet më të mira për të zbatuar dhe financuar projektet qëndrore të rrjetit, siç është dhe hekurudha Balltike, e firmosur tashmë nga të 5 ministrat përgjegjës për zbatimin e saj.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel