KQZ, thirrje partive: Respektoni vendimin për numërimin e votave

23/06/2015 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje këtë të martë partive politike që të respektojnë vendimet e KQZ-së në menaxhimin e procesit të numërimit të votave.

“KQZ u bën apel partive politike, kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe KZAZ-ve që të respektojnë vendimin e KQZ-së nr. 578, ku përcaktohet se, në Vendet e Numërimit të Votave(VNV) mund të qëndrojnë vetëm anëtari dhe sekretari i KZAZ-së, anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave (GNV), përfaqësuesit e akredituar të medias, vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, etj”, tha zëdhënësja e KQZ-së, gjatë një komunikimi me mediat.

Gjithashtu, KQZ u bëri thirrje edhe Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) dhe grupeve të numërimit, që të vazhdojnë pa ndërprerje numërimin e votave dhe të shmangin pushimet e shpeshta.

Në zonat ku ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve për kryebashkiakë, KQZ kërkon vijimin e numërimit të votave për këshilltarë.

KQZ apeloi edhe për dokumentimin me proceverbalet përkatëse të çdo problematike të hasur gjatë numërimit.

Top Channel