Erion Veliaj, për rezultatin e thellë: Çuam Shqipërinë në drejtimin e duhur

23/06/2015 00:00

Kur diferenca mes dy kandidatëve ishte rreth 42 mijë vota, Erion Veliaj, kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës, i shoqëruar nga deputetët e qarkut të Tiranës dhe kandidatët për Këshillin Bashkiak, ka dalë për herë të parë në publik pas zgjedhjeve, duke falenderuar të gjithë ata që ndihmuan në fitoren e tij.

Pavarësisht kësaj, Veliaj tha se nuk ka vend për entuziazëm.

“Fitorja jonë me mbi 43 mijë vota, është shumë e madhe. Por jemi shumë të përulur, pa bori, pa tantane, pa festime. Jemi të vetëdijshëm që qyteti nuk i ka punët mirë, ndaj nuk festojmë. Ne duhet të përveshim mëngët që ta çojmë Tiranën në rrugën e duhur ashtu siç premtuam në këtë fushatë”, tha Veliaj.

Duke i cilësuar si zgjedhjet më të lira dhe të ndershme të zhvilluar ndonjëherë në vend, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, falenderoi dhe kundërshtarët e tij në këtë garë.

“Meritat për këto zgjedhje të lira dhe të ndershme në Tiranë, nuk janë vetëm tonat. Merita ka edhe kundërshtari ynë, doktor Halim Kosova, i cili meriton gjithë respektin tonë për përpjekjet që ai bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij, për t’u ndarë nga linja e shpifjes, përgojimeve dhe goditjeve nën brez, që helmojnë politikën tonë. Faleminderit doktor Kosova! Gjej rastin të falenderoj edhe kandidatët e tjerë, Gjergjin, Sazanin, Ben Tafajin, Dhimitër Muslinë. Faleminderit të gjithë atyre që u përfshinë në garë. U them me gjithë respekt, doktor Halimit dhe kandidatëve të tjerë, që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se gjëra që na ndajnë, e në emër të gjithë gjërave që na bashkojnë, u them që mezi pres bashkëpunimin tuaj në bashkinë e re të Tiranës”, tha kreu i sapozgjedhur i bashkisë së kryeqytetit.

Veliaj iu drejtua dhe zgjedhësve që nuk e votuan.

“Dua t’u them qartë, mund të mos na keni dhënë votën, por ne e dëgjojmë dhe respektojmë zërin tuaj të mendimit ndryshe në Tiranë. Mund të mos na keni dhënë votën, por do t’u shërbejmë njësoj, atyre që na dhanë dhe atyre që nuk na dhanë votën në këtë garë tonë të parë”, u shpreh Veliaj.

E në fund, kryetari i ardhshëm i bashkisë së kryeqytetit, iu drejtua dhe administratës së Bashkisë aktuale, duke u bërë thirrje të mos përsëritet skenari i vitit 2013.

“I kërkoj administratës së bashkisë së Tiranës të mos ndërpresë në asnjë moment shërbimet ndaj qytetarëve, gjatë kohës që bëhet tranzicioni i ekipeve tona. I kërkoj administratës, që jo vetëm të vazhdojë shërbimet, por të frenohet nga politika e deridjeshme e tokës së djegur për të shmangur atë që ndodhi në vitin 2013, kur qeveria në largim rriti borxhin dhe shtoi shpenzimet që e lanë arkën e shtetit bosh, pasojat e së cilës i vuajmë edhe sot. I bëj thirrje administratës së Tiranës, nuk ka asnjë ngut për të lidhur kontrata 4-5 vjeçare këto ditë në transport, ujësjellës apo në mbledhjen e mbetjeve që nuk e respektojnë ndarjen e re administrative dhe që janë në frymën e thirrjes, pas meje u bëftë qameti! Bashkia dhe njësitë administrative do të kenë një audit, për ta nisur me transparencë ndaj publikut një erë të re ndryshimi në Tiranën tonë”, apeloi Veliaj.

Top Channel