Haxhinasto, në Riga: Rrjet bazë për transportin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor

23/06/2015 00:00

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i cili mori pjesë në takimin e ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor në Riga, kërkoi fillimin e zbatimit të rrjetit të transportit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Haxhinasto informoi të pranishmit, se hapi i parë konkret në zbatimin e rrjetit bazë të dakordësuar midis palëve, në kuadër të procesit të Berlinit, është krijimi i grupit teknik me Malin e Zi, për të përgatitur aplikimin për studim fizibilitetit për projektin e autostradës Adriatiko-Ioniane, pranë institucioneve financiare në BE, i cili do të mblidhet në Tiranë javës që vjen.
 
Ai informoi edhe për angazhimin në plotësimin e studimeve dhe programimin e investimeve për Korridorin Veri-Jug, pjesë e kësaj autostrade. “Dëshiroj t’ju informoj se kemi punuar në terma konkretë në lidhje me përfundimin e të gjitha studimeve për segmentet e Korridorit Adriatiko-Jonian, të tilla si Thumanë-Vorë, by-pass i Tepelenës apo lidhja Tiranë-Durrës. Sa u takon punimeve kemi pasur progres konkret për zbatimin e by-passit të Rrogozhinës, atij të Fierit dhe shumë segmente të tjerë pjesë e këtij Korridori”, tha ministri Haxhinasto.
 
Pjesë e rëndësishme e procesit është edhe hekurudha, për të cilën ministri shqiptar deklaroi se qeveria shqiptare është duke i kushtuar shumë vëmendje, nëpërmjet studimit dhe projektimit për lidhjen Tiranë-Durrës dhe me Aeroportin e Rinasit, si dhe për projektin e fizibilitetit për të gjithë rrjetin hekurudhor shqiptar, duke përfshirë edhe lidhjet me fqinjët.
 
Duke falënderuar edhe Komisionin për mbështetjen e dhënë, Haxhinasto deklaroi miratimin e financimit të studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore të Korridorit VIII-të, rehabilitimin e segmentit Durrës-Lin-Pogradec, si dhe ndërtimin e linjës së re Lin-Kufiri me Maqedoninë.
 
Duke folur për masa të tjera, ministri Haxhinasto deklaroi se “mbështet shumë idenë se duhet të bëjmë më shumë për qëndrueshmërinë në sistemet e transportit, ku sapo kemi konkluduar një marrëveshje me Bankën Botërore, për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar me financim rreth 130 milionë USD për 5 vitet e ardhshme, e cila do të na ofrojë shërbime shumë më cilësore në rrugët tona kombëtare”.
 
Ai theksoi, se siguria rrugore është prioritet për sektorin e transportit rrugor shqiptar dhe se ky komponent duhet parë më seriozisht në të ardhmen. “Rezultati që kemi pasur është 25% më pak aksidente në 2 vitet e fundit, i arritur nëpërmjet investimeve në sinjalistikë, të cilat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha ministri Haxhinasto.
 
Pjesë e temave të diskutimit ishin edhe barrierat jo-fizike, të cilat kanë rezultuar me kosto jashtëzakonisht të lartë, në një studim të fundit të Bankës Botërore, për të cilat ministri u shpreh se mund të bëhet shumë më tepër, për lehtësimin e kalimeve kufitare.
 
Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës ftoi homologët e Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë në ndërmarrjen e një tryeze të përbashkët në Tiranë, për të siguruar vazhdimësi në procesin e heqjes së barrierave jo-fizike për transportin midis vendeve fqinje.

Top Channel