Deromemaj pranon humbjen në Vlorë: Suksese kryetarit të Bashkisë së re

23/06/2015 00:00

Kandidati i djathtë për bashkinë e Vlorës, Genc Deromemaj ka pranuar humbjne, duke i uruar kundërshtarit të tij fitues, Dritan Leli, suksese. Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Deromemaj shprehet se është në paqe me veten për sprovën e parë në një garë të rëndësishme politike.

“Beteja që bëmë, të gjithë bashkë, u mbyll. Dua ta mbaj për vete humbjen, dhe t’ju falenderoj juve nga zemra për garën që bëtë në krahun tim. Nuk mund të them se jam i gëzuar, por jam në paqe me veten për sprovën e pare, në një garë politike të rëndësishme, siç ishte sfida për bashkinë e Vlorës. Diçka nuk ka shkuar në përllogaritjet, punën apo qasjen time dhe të strukturave mbështetëse të fushatës sime, por kjo është një analizë që do e bëjmë me të tjerë njerëz, dhe në një kohë të dytë. në, me gjithë shpirt, kam punuar dhe kam hartuar një program konkret për Vlorën dhe banorët e saj. Kam shkuar lagje më lagje e fshat më fshat dhe kam takuar shumë njerëz me të cilët kemi qarë halle. Megjithatë, ata që dolën në votime, edhe pse Vlora shënoi një rekord të ulët në pjesëmarrje në shkallë Republike, panë te rivali im zgjedhjen e tyre”,shkruan Deromemaj.

Duke shprehur dëshirën e tij që Vlora të ecë përpara, ai i uron suksese kryetarit të të bashkisë së re. “Nuk dua të tregohem cinik e të them ‘këtë do ta provojë koha’. Pavarësisht se kush e udhëheq, unë dua që Vlora të bëjë përpara. Ajo e meriton. Njerëzit e saj edhe më shumë. Në këtë frymë, i uroj suksese kryetarit të Bashkisë së re, Dritan Leli. Edhe njëherë, të dashur miq, ju falenderoj dhe ju them se kjo ishte një betejë e humbur, por jo lufta. Vlora na kërkon të gjithëve bashkë, sërish e përherë. Bashkë do të jemi në krah të saj”, përfundon mesazhi i Genc Deromemaj.

Top Channel