Gjykata Speciale, Kuvendi voton të premten; opozita kundër. Veseli: Nuk duhet të kemi ndarje

23/06/2015 00:00

“Për ditën e premte kemi seancën plenare, me të vetmen pikë të rendit të ditës: shqyrtimin e Kushtetutës për krijimin e Dhomave të Specializuara”, njoftoi kryeparlamentari Kadri Veseli.

Kuvendi i Kosovës pritet të votojë të premten krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë krimet e supozuara të ish-pjestarëve të UÇK-së. Kryesia e Kuvendit procedoi këtë të martë amendamentet kushtetuese, që i hapin udhë ndryshimeve kushtetuese, të cilat konsistojnë në futjen e një neni të ri për krijimin e Gjykatës Speciale.

Ky nen do të përmbajë themelimin e Dhomave të Specializuara; krijimin e zyrës së prokurorit të specializuar, krijimin e një dhome të specializuar të Gjykatës Kushtetuese – të përbërë nga 3 gjyqtarë ndërkombëtarë, – dhe emërimin e një Avokati të Popullit, ose siç i referohet vendimi “Ombudsperson i veçantë”.

Gjykata Kushtetuese i quan këto si elemente të reja strukturore në sistemin e drejtësisë, që bëhen me ligj dhe me qëllim të luftimit të krimeve specifike. Në mënyrë demonstrative, mbledhjen e Kryesisë e braktisën 3 përfaqësuesit e partive opozitare: Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.

Glauk Konjufca tha se, me këtë pakësohet sovraniteti i Kosovës, ndërsa Donika Kadaj-Bujupi, në shenjë revolte ka grisur dokumentet për këtë çështje. Përfaqësuesja e Nismës ftoi deputetët e shumicës të mos votojnë për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Qëllimi i mazhorancës është të pakësohet sovraniteti. Ne e dimë që numrat mund të bëjnë gjithçka, mund të ndryshojnë edhe Kushtetutën, por unë nuk di asnjë shtet, asnjë rast të asnjë Kushtetute, që lejon ndryshimin që çon drejt humbjes më të madhe të sovranitetit”, tha Glauk Konjufca, i Vetëvendosjes.

“Të gjithë ata, që e kanë lexuar këtë projektligj, binden se bëhet fjalë për një Gjykatë Kushtetuese vetëm për Specialen, për një Gjykatë Supreme vetëm për Specialen, madje edhe arkivat do të jenë të paprekshme. Sot e një mijë vite, askush s’do ta kuptojë se për çfarë bëhet fjalë”, tha Donika Kadaj-Bujupi, e AAK-së.

“Ne si deputetë nuk kemi të drejtë, që me votën tonë të bëjmë një Gjykatë selektive, e cila do të merret vetëm me krimet që janë bërë”, tha Valdete Bajrami, e Nismës për Kosovën.

Duke komentuar qëndrimin e opozitës, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se, sovraniteti i Kosovës është i pacënueshëm, duke i dhënë arsye kështu sqarimit të akuzave, që rëndojnë mbi ish-ushtarët e UÇK-së.

“Kemi një situatë, në të cilën jemi mes emocioneve dhe arsyes. Emocionet janë ato, që na bëjnë krenarë me luftën e lavdishme të UÇK-së; në të njëjtën kohë kemi arsyeshmërinë, sepse janë shumë akuza dhe mjegulla, që kanë vënë të tjerë mbi këtë luftë dhe bartësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi për të ecur përpara krenarë, pa u frikësuar dhe pa asnjë akuzë. Të rëndësishme janë shteti dhe sovraniteti i Kosovës, askush nuk do t’i cënojë këto, por në të njëjtën kohë kemi vështirësi, me të cilat do të ballafaqohen disa nga ne, si ish-luftëtarë të lirisë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ai apeloi që, në këtë situatë të veçantë për Kosovën, të mos ketë përçarje.

“Dëshiroj të përcjell një mesazh se, historia e çlirimit të Kosovës është histori e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare. Në mënyrë të vendosur, ne duhet ta ruajmë partneritetin me këtë bashkësi, ndaj dhe bëj apel që në gjithë këtë situatë – që është shumë e veçantë, në të cilën do të kalojë populli ynë dhe një pjesë e historisë sonë, – të mos na ndajë dhe përçajë askush. Të jemi më të bashkuar rreth idesë për shtet dhe ruajtjen e partneritetit”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Përveç kundërshtimeve, opozita paralajmëroi se nuk do të marrë fare pjesë në seancën, ku do të votohen ndryshimet kushtetuese për Specialen.

Top Channel