Bruksel, mbahet raundi i 26 i dialogut Prishtinë-Beograd

23/06/2015 00:00

Në Bruksel po mbahet raundi i 26 i Dialogut të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë.

Si zakonisht, tryezës trepalëshe i paraprinë takimet e posaçme të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, fillimisht me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç dhe numrin 2 të qeverisë së Beogradit, Ivica Daçiç, për të vijuar më pas me homologët e tyre nga Kosova, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

“Ata përqëndrojnë bisedimet e sotme mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani me Dialogun, posaçërisht në fushat e energjisë, telekomunikacionit, për bashkësinë e komunitetit minoritar dhe mbi urën e Mitrovicës. Këto bisedime po vijojnë. Javët e fundit, grupet e punës përkatëse kanë bërë një punë të madhe   dhe tashmë u takon kryeministrave që të vijojnë për kryerjen e kësaj pune duke u pajtuar në nivelin më të lartë. Si gjithmonë, më e rëndësishme se marrëveshjet është zbatimi i tyre në mirëbesim për të mirën e qytetarëve në terren”,

Në varësi të ecurisë së zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Dialogun me Kosovën, Serbia pret për çeljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim, me gjasë brenda fundvitit, ndërsa Kosova siguron hyrjen në fuqi të MSAsë unike të përpiluar enkas nga burokratët e Brukselit për shtetin e ri të rajonit, i cili vijon të mos njihet nga 5 vendet anëtare, ndërkohë që kosovarët vijojnë të mbeten të vetmit qytetarë të izoluar të Ballkanit për të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet europiane të Shengen.

Top Channel