Avokati i Popullit: KQZ nuk plotësoi kushtet, të verbërit nuk votuan dot

23/06/2015 00:00

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar respektimin e të drejtave të njeriut në lidhje me respektimin e të drejtës së votës për secilin  në zgjedhjet vendore 2015.

Sipas ekspertëve të Avokatit nuk kanë mundur as në këto zgjedhje  të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të fshehtë, personat e verbër pasi jo të gjitha qendrat ishin pajisur me shabllone të posaçëm ashtu si dhe e parashikon Kodi Zgjedhor.

“megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon që KQZ dhe administrata zgjedhore duhet të vërë në dispozicion mjete të posaçme të votimit, ato në shumicën e qendrave që ne kemi monitoruar në Tiranë apo qytete të tjera, nuk kanë ekzistuar në kohën e duhur. Ato nuk janë garantuar për të gjithë personat e verbër, kështu që janë përdorur më shumë se nga një person. Në shenjën e vendosjes së votimit kanë lënë gjurmë në këto mjete të posaçme. Nuk është realizuar ai votimi i fshehtë”, tha Ermir Kapedani, komisioner i Avokatit të Popullit.

Edhe pse për herë të parë u mundësua që të burgosurit të votonin në zgjedhjet lokale sërish  një pjesë e tyre nuk kanë mundur të votojnë.

“Janë konstatuar probleme në përgatitjen dhe shpalljen e listave të zgjedhësve, në përputhje me nenin 56 të Kodit Zgjedhor. Persona të cilët ishin me vendim gjykate dhe nuk janë të pakët, ishin të pamundur për të votuar për mungesë fletash votimi. Gjithashtu, një problem tjetër, ka qenë ai i pajisjes me dokumente identifikimi të përshtatshme për të votuar. Pra, me karta identiteti apo pasaporta. Duhet të keni parsysh se një pjesë e personave këto mjete i kanë në dosjet që i zotëron policia, apo prokuroria, apo gjykata”, tha Jorida Rustemi, Avokati i Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit sqaron se nuk kanë për qëllim të monitorojnë ecurinë e procesit zgjedhor pasi nuk është në tagrin e këtij institucioni, por ekspertët kanë monitoruar vetëm respektimin e të drejtës së votës.

Top Channel