Bllokohet numërimi në Malësinë e Madhe; në avantazh kandidati i majtë

23/06/2015 00:00

Problemet me numërimin e votave në Malësi të Madhe nisën që pas dorëzimit të kutive. Numërimi filloi 10 orë me vonesë dhe arsyeja ishte se disa komisionerë nuk ishin me arsim të lartë.

Procesi u ndalua sërish se pati parregullësi në dokumentacionin e një qendre. Dy ditë pas zgjedhjeve ende nuk ka nisur numërimi. Sipas sekretarit Dalip Rrustemaj, bllokimi erdhi pasi numëruesit e djathtë nuk janë paraqitur në detyrë.

“Deri në orën 13 procesi i numërimit është bllokuar pasi PD nuk ka sjellë numëruesit. Arsyeja, me gjithë komunikimin e kryetarit të KZAZ, ka qenë personale, por besoj se do të arrihet tek gjuha e përbashkët për zgjidhjen e problemit. Kontaktuarm edhe KQZ-në për asistencë teknike, por është e vështirë të zgjidhet ky problem. Kërkuam që procesi të bëhet vetëm me numëruesit e PS, por ligji e parashikon me votuesit e të dyja palëve. Jemi në pritje të udhëzimeve. Aktualisht rezultati është rreth 300 vota më shumë për kandidatin e ASHE, Tonin Marinaj, nga 29 kuti të numëruara”, ka deklaruar Rustemaj.

Kryetarja e KZAZ-së numër 1, përfaqësuese e Partisë Demokratike, nuk pranoi të tregonte se përse procesi është bllokuar. Në Malësi të Madhe është votuar në pesë komuna dhe në Koplik. Kjo zonë ka 42.556 votues dhe pjesëmarrja ka qenë 46.2%.

Nga 79 qendra votimi janë numëruar 38 kuti dhe rezultati paraprak është 4.651 vota për kandidatin e ASHE, Tonin Marinaj dhe 4.370 vota për kandidatin e APPD, Anton Kokaj.

Top Channel