Halim Kosova uron Veliajn për fitoren: Shpresoj të mbajë premtimet

23/06/2015 00:00

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka bërë këtë të martë deklaratën e parë pas numërimit të pjesës dërrmuese të votave, që i japin fitoren e padiskutueshme rivalit të tij, Erjon Veliaj.

Në fjalën e tij, doktor Kosova ka falenderuar stafin e fushatës për mbështetjen, ndërsa nuk ka ngurruar të urojë kandidatin fitues.

“Jam këtu për të shprehur falenderimet më të përzemërta për qytetarët, pa dallim partiak. Sidomos, ata që votuan për platformën time. Të dashur bashkëqytetarë, kjo do të mbetet një prej përvojave më të çmuara të jetës sime. Unë zgjodha kontaktin me qytetarin dhe jo fushatën e luksit në ekran. Numërimi vazhdon, por fitues i kësaj gare rezulton Erion Veliaj, të cilin e uroj dhe shpresoj se do t’i mbajë premtimet e nuk do t’i zhgënjejë qytetarët e Tiranës”, ka thënë Kosova.

Ai ka falenderuar ekipin e tij të fushatës, “që punoi me përkushtim”, ndërsa ka ftuar numëruesit e opozitës që të vijojnë punën me kujdes, pasi procesi i numërimit vazhdon me kandidatët e këshillit bashkiak.

Më tej, ai u ka premtuar qytetarëve të Tiranës, se angazhimi i tij në shërbim të interesave të tyre do të vazhdojë. 

Top Channel