Fustani i Marilyn Monroe, në ankand

23/06/2015 00:00

Adhuruesit e Marilyn Monroe, Princeshës Diana, Star Trekut dhe Marlon Brandos, do të kenë që të gjithë mundësinë të shtien në duar copëza të historisë së Hollivudit.

Shtëpia e ankandeve “Julien’s” në Beverli Hills, në Kaliforni, do të organizojë në fund të qershorit ankandin e saj të përvitshëm hollivudian dhe, në mesin e objekteve më të rëndësishme të këtij eventi është edhe një fustan i veshur nga Marilyn, gjatë xhirimeve të filmit të saj të fundit.

Në tryezën e ankandit do të jenë edhe copa tortash nga disa martesa mbretërore.

“Fustani i Marilynit është pika jonë e fortë, e kemi edhe në kopertinën e katalogut; vlerësohet diku te 300 apo 500 mijë dollarë”, tha Martin Nolan, drejtor ekzekutiv i “Julien’s Auctions”.

Fustanin prej tyli, legjenda e ekranit e kishte mbajtur veshur gjatë xhirimit të “Something’s Got to Give”, film që e bëri në 1962-shin, por që nuk u përfundua kurrë siç duhej, për shkak të vdekjes së parakohshme të saj.

“Ky fustan ka një domethënie të veçantë; Marilyn e veshi gjatë filmit të saj të fundit, ky ishte fustani i fundit, që ajo mbajti në trup gjatë karrierës së saj. Përpos kësaj, fotoja e Marilynit me këtë fustan, ishte ajo që mbushi të gjitha gazetat kombëtare, kur njoftuan lajmin e vdekjes së saj tragjike gushtin e vitit 1962. Është një veshje e bukur, e derdhur, prej tyli dhe me motive lulesh. Mund të vishet fare mirë edhe sot, është klasik dhe i ruajtur me aq kujdes, sa duket si i ri”, tha Nolan.

Ndër objektet e tjera të rralla, për të cilat do të bjerë çekiçi i ankandit do të jenë edhe një fustan “Versace” i veshur nga Princesha Diana, ndërsa copat e tortave nga martesat e Princeshës Ana, Princit Andrew, ato nga të dyja dasmat e Charlesit, si dhe e fundit, ceremonia e lidhjes në kurorë të Princit William dhe Kate Middleton, shoqërohen me paralajmërimin se nuk janë për t’u ngrënë.

Top Channel