Emigrantët ilegalë nga Lindja e Mesme, Serbia i kthen në Maqedoni

23/06/2015 00:00

Rreth 400 emigrantë nga Lindja e Mesme janë kthyer për në Maqedoni nga policia serbe, mbrëmjen e së hënës. Emigrantët kanë qenë të ndarë në grupe dhe janë ndaluar në kufirin serb nga xhandarmëria, sapo kanë kaluar territorin maqedonas.

Gjatë ditëve të fundit, autoritetet e Shkupit kanë shtuar patrullat policore në afërsi të zonave kufitare me Greqinë dhe me Serbinë, për shkak të paralajmërimeve për rritjen e fluksit të refugjatëve që hyjnë nga Greqia, me synim Serbinë e më pas shtetet e tjera evropiane.

Sipas të dhënave të policisë, rreth 2500 emigrantë në ditë hyjnë në territorin e Maqedonisë, ku vetëm këtë vit kanë humbur jetën rreth 30 shtetas nga Siria dhe Afganistani.

Për shkak të gjendjes së rëndë, që u krijua me emigrantët nga Lindja e Mesme, autoritetet e Shkupit ndryshuan ligjin për azil, duke i mundësuar emigrantëve të mund të kalojnë në mënyrë ligjore nëpër Maqedoni.

Ndërkohë, ministri serb për Punë dhe Çështje Sociale, Aleksandar Vulin ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja mes policisë së Serbisë, Hungarisë dhe Austrisë, që të patrullojnë në kufirin ndërmjet Serbisë e Maqedonisë, sepse – sipas tij, – autoritetet e Shkupit nuk kanë kapacitete për t’u përballur vetë me fluksin e emigrantëve.

Për shkak të numrit të madh të emigrantëve, që kanë hyrë në Hungari nga Serbia, autoritetet hungareze kanë paralajmëruar ndërtimin e një muri të lartë, që do të pengonte shpërndarjen e emigrantëve nëpër territorin e Bashkimit Evropian.

Top Channel